Një burrë i rrëmbyer në Britaninë e Madhe ka arritur të shpëtojë nga pengmarrësit duke u hedhur nga dritarja e katit të parë drejt një peme, në një arratisje dramatike të filmuar nga kamerat e sigurisë. Ngjarja nisi më 4 korrik të vitit të kaluar, kur viktima u josh drejt një adrese në Market Rasen, Lincolnshire, ku u mbajt kundër vullnetit të tij dhe iu nënshtrua dhunës, kërcënimeve dhe poshtërimit. Autorët madje e filmuan keqtrajtimin me telefonat e tyre.

Më pas ai u fut me forcë në pjesën e pasme të një automjeti dhe u dërgua në një banesë tjetër në Lincoln, ku vazhdoi të mbahej peng. Pamjet e publikuara nga policia tregojnë momentin kur burri del nga një dritare e katit të parë, kalon mbi një ballkon dhe hidhet mes degëve të një peme. Pasi bie në tokë, ai nis të vrapojë në rrugë. Në atë moment, thuajse rastësisht, një makinë policie po afrohej drejt tij.
Viktima doli përpara automjetit, hipi në pjesën e pasme dhe u kërkoi ndihmë efektivëve. Policia e çoi menjëherë në një vend të sigurt dhe nisi operacionin për kapjen e personave të dyshuar. Dy prej tyre u arrestuan nga policia e armatosur pasi u larguan nga banesa me një automjet tip pickup, ndërsa tre të tjerët u arrestuan më vonë po atë mbrëmje në Market Rasen.
Pesë personat dolën para Gjykatës së Kurorës në Lincoln më 28 gusht dhe morën dënime që variojnë nga 3 vjet e 7 muaj deri në 9 vjet burg. Gjykata vendosi gjithashtu një urdhër ndalimi pa afat, duke ua ndaluar kontaktin me viktimën dhe familjen e tij. Sipas hetuesit Liam Henderson, viktima kishte kaluar një përvojë të rëndë, me dhunë, kërcënime dhe poshtërim, ndërsa arratisja e tij kërkoi guxim të jashtëzakonshëm.


