Një mësuese 56-vjeçare, Clara Palaoro, nga Pergine Valsugana, në Trentino, ka ndërruar jetë pas tetë muajsh në gjendje kome vegjetative, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale estetike që duhej të ishte rutinë. Clara i ishte nënshtruar ndërhyrjes në një klinikë private në provincën e Vicenzës dhe në orët pas operacionit, gjendja e saj shëndetësore dyshohet se u përkeqësua papritur, duke përfunduar në gjendje kome.
Pas disa muajsh në një strukturë rehabilitimi në Trentino, gjendja e saj u rëndua më tej dhe ajo ndërroi jetë në spitalin Santa Chiara. Sipas mediave lokale, familjarët e viktimës kanë paraqitur një denoncim pranë autoriteteve të drejtësisë, duke kërkuar hetimin e shkaqeve që çuan në vdekjen e mësueses.
Prokuroria e Vicenzës ka hapur një dosje hetimore. Në ditët në vijim, raporton Corriere della Sera, pritet të kryhet edhe autopsia, e cila mund të japë përgjigjet e para për dyshimet e familjarëve lidhur me shkaqet e vdekjes. Gruaja la pas dy vajza, të cilat i kishte nga ish-bashkëshorti, si dhe partnerin e saj aktual.



