Një ngjarje tronditëse ka ngritur pikëpyetje serioze mbi neglizhencën mjekësore në Britaninë e Madhe, pasi një 24-vjeçare humbi jetën vetëm pak orë pasi ishte paraqitur në spital me probleme të rënda shëndetësore. Clarissa Street, një e diplomuar në sociologji në Universitetin e Mançesterit, ndërroi jetë në Royal Oldham Hospital në gusht të vitit 2024, ndërsa tani detaje të reja janë bërë publike gjatë hetimeve gjyqësore mbi vdekjen e saj.

Sipas dëshmive në gjykatë, ekipet e urgjencës mjekësore dhe stafi i spitalit fillimisht menduan se e reja po kalonte një sulm paniku dhe po “mbireagonte”. Infermierja e triazhit, Michelle Neale, pranoi se i kishte vendosur Clarissës një maskë oksigjeni që nuk ishte e lidhur me asnjë furnizim oksigjeni dhe deklaroi se nuk e dinte pse kishte vepruar në atë mënyrë. Megjithëse ishte kërkuar që 24-vjeçarja të vendosej në një dhomë të veçantë për monitorim, ajo qëndroi për rreth një orë në korridor, pasi konsiderohej e re në moshë dhe në gjendje të qëndrueshme.

Pak më vonë gjendja e saj u përkeqësua me shpejtësi dhe Clarissa humbi jetën gjatë orëve të para të mëngjesit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, shkaku i vdekjes ishte embolia pulmonare, e shoqëruar me sëmundje të mëlçisë dhjamore.

Familjarët dhe universiteti ku ajo kishte studiuar e përshkruan Clarissën si një studente të shkëlqyer, kreative dhe shumë të dashur nga njerëzit përreth saj. Universiteti i Mançesterit deklaroi se ajo do të mbahet mend për inteligjencën, mirësinë dhe kontributin akademik. Hetimet mbi rastin pritet të vijojnë për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të rënda në trajtimin mjekësor të 24-vjeçares.