Aktori dhe muzikanti i njohur Jared Leto ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave për abuzim seksual të ngritura kundër tij në dokumentarin e ri të BBC-së, duke i mohuar ato në mënyrë kategorike.

Dokumentari, me titull “Jared Leto: Hollywood’s Dark Secret”, përfshin dëshmitë e katër grave, të cilat pretendojnë se aktori 54-vjeçar i ka abuzuar seksualisht kur ato ishin ende adoleshente.

Në një deklaratë për revistën People, Leto i hodhi poshtë të gjitha pretendimet.

Nuk kam abuzuar seksualisht kurrë me askënd në jetën time. Këto pretendime janë absolutisht dhe kategorikisht të pavërteta -u shpreh ai.

Sipas dokumentarit, njëra prej grave pretendon se kishte kryer marrëdhënie seksuale me frontmenin e grupit “Thirty Seconds to Mars” në shtëpinë e tij në Kaliforni, kur ajo ishte 17 vjeçe dhe Leto 34 vjeç. Duke qenë se mosha ligjore e pëlqimit në Kaliforni është 18 vjeç, ajo pretendon se ngjarja mund të përbënte përdhunim të një të miture.

Ajo rrëfen se aktori nuk dukej i shqetësuar për moshën e saj dhe pretendon se ai i kishte kërkuar ta thërriste “babi”, ndërsa ndihej e detyruar të sillej si një vajzë e vogël.

Një tjetër grua përshkruan një incident të dyshuar në banjën e një moteli, që sipas saj ndodhi kur ishte gjithashtu 17 vjeçe. Ndërsa një e tretë pretendon se Leto e kishte kërcënuar me dhunë fizike kur ajo ishte 19 vjeçe.

Dëshmia e katërt vjen nga një grua që pretendon se aktori e kishte kontaktuar dhe i kishte bërë telefonata me përmbajtje seksuale kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Sipas saj, gjatë një prej bisedave ai kishte sugjeruar edhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale.

Përveç këtyre katër dëshmive, BBC intervistoi edhe gjashtë gra të tjera, të cilat folën për takimet që kishin pasur me Jared Leton gjatë viteve 2002–2016.

Në dokumentar dëshmojnë edhe disa ish-bashkëpunëtorë anonimë të grupit “Thirty Seconds to Mars”, të cilët pretendojnë se këngëtari u dërgonte mesazhe vajzave të mitura dhe i ftonte ato në skenë gjatë koncerteve.

Njëri prej tyre, i identifikuar me emrin “Brad”, i cili kishte qenë pjesë e turneve të grupit, e përshkroi Leton si “njërin nga njerëzit më të këqij për të cilët kam punuar ndonjëherë”.

Ai pretendon se anëtarët e stafit kishin për detyrë të zgjidhnin vajza nga publiku dhe t’i çonin në prapaskenë, ku Leto bisedonte me to në dhomën e zhveshjes, por nuk dha detaje se çfarë ndodhte më pas.

BBC ka bërë të ditur se Jared Leto nuk iu përgjigj kërkesës së saj për koment përpara publikimit të dokumentarit. Sipas medias britanike, rrëfimet e grave mbështeten edhe nga dëshmi të miqve dhe familjarëve të tyre, ndërsa në disa raste janë paraqitur fotografi dhe mesazhe që, sipas BBC-së, i mbështesin pretendimet.

Akuza të ngjashme ndaj aktorit ishin bërë publike edhe në qershor të vitit 2025, kur portali Air Mailpublikoi dëshmitë e nëntë grave që e akuzonin për sjellje të papërshtatshme. Edhe atëherë, disa prej tyre pretendonin se kishin qenë të mitura në kohën e ngjarjeve, ndërsa përfaqësuesit e Jared Letos i mohuan kategorikisht të gjitha akuzat.

Deri më tani, ndaj Jared Letos nuk është shpallur asnjë vendim gjyqësor lidhur me këto pretendime, të cilat ai vazhdon t’i mohojë plotësisht.