Katër gra kanë ngritur akuza për abuzim seksual dhe sjellje të papërshtatshme kundër aktorit fitues të çmimit Oscar dhe këngëtarit të grupit “Thirty Seconds to Mars”, Jared Leto. Ky i fundit është përfshirë në një hetim të ri nga BBC.
Dokumentari i ri i rrjetit britanik sjell dëshmi nga katër gra, të cilat pretendojnë se kanë përjetuar episode problematike kur ishin të mitura ose në moshë të re.
BBC shkruan se, ngjarjet e përshkuara nga gratë në fjalë, lidhen me periudhën 2002-2016, kur Leto ishte mes moshës 30 dhe 40 vjeç.
Në total, 10 gra kanë folur për hetimin e BBC, ndërsa nëntë prej tyre kanë ndarë publikisht historitë për herë të parë. BBC bëri të ditur se disa nga pretendimet janë verifikuar përmes dëshmive të personave të afërt, fotografive dhe komunikimeve të paraqitura gjatë hetimit.
Një nga gratë, e identifikuar me emrin Isabel për mbrojtjen e identitetit, pretendon se është sulmuar seksualisht në vitin 2002, kur ishte 17 vjeçe. Ajo tregon se e kishte takuar Leton në Las Vegas dhe më pas kishte shkuar me të në një hotel, ku sipas saj ka ndodhur sulmi.
Ndërsa një tjetër grua, Alex, ish-modele, rrëfen një episod të pretenduar në vitin 2013 pas një koncerti të grupit “Thirty Seconds to Mars” në Londër. Në atë kohë ajo ishte 19 vjeçe, por i kishte thënë Letos se ishte 17 vjeçe pasi ndihej e pasigurt. Sipas saj, aktori i ishte përgjigjur se “mosha është thjesht një numër”.
Një tjetër dëshmi vjen nga Clara, e cila pretendon se ka pasur marrëdhënie seksuale me Leton në vitin 2006, kur ajo ishte 17 vjeçe dhe aktori 34 vjeç. Ajo pretendon se Leto e dinte moshën e saj dhe se diskutimi për moshën ligjore të pëlqimit nuk u mor seriozisht.
Një grua tjetër, Taylor, pretendon se e ka takuar aktorin në një festival muzikor në vitin 2005, kur ishte 14 vjeçe. Sipas rrëfimit të saj, gjatë një takimi për autograf, Leto bëri një koment me përmbajtje seksuale dhe kërkoi që ajo të dërgohej në prapaskenë.
Hetimi i BBC përfshin gjithashtu pretendime nga pesë gra për telefonata me përmbajtje seksuale që, sipas tyre, kanë ndodhur kur ato ishin adoleshente. Një prej tyre, Etta, tregon se kishte kontaktuar me Leton përmes një agjencie modelimi në Los Angeles dhe se bisedat fillimisht profesionale u kthyen në komunikime personale me përmbajtje seksuale.
Sipas BBC, Jared Leto nuk iu përgjigj akuzave të ngritura në dokumentar. Aktori i ka mohuar edhe më herët pretendime të ngjashme për sjellje të papërshtatshme, ndërsa përfaqësuesit e tij i kanë cilësuar akuzat e fundit si të pavërteta.
Jared Leto është një nga emrat më të njohur të Hollywood-it. Ai fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë dytësor në vitin 2014 për filmin “Dallas Buyers Club”, ndërsa prej vitesh është edhe vokalisti kryesor i grupit “Thirty Seconds to Mars”.





