Sulmuesi i Francës, Kylian Mbappé, ka reaguar ashpër ndaj komenteve raciste të bëra nga senatorja paraguajane Celeste Amarilla pas eliminimit të Paraguait nga Franca në fazën e 1/8-ave të Botërorit. Amarilla, anëtare e Partisë Liberale Radikale të Paraguait, publikoi në rrjetin social X një sërë postimesh fyese ndaj kapitenit francez, duke e quajtur, mes të tjerash, “kamerunas i kolonizuar që shtiret si francez”, “arrogant”, “i pasuruar rishtazi” dhe “i shëmtuar”. Ajo pretendoi gjithashtu se Mbappé ishte “i tmerruar” gjatë ndeshjes.

Reagimi i yllit francez nuk vonoi. Në një postim publik, Mbappé e quajti senatoren “një grua të neveritshme dhe të padenjë për postin që mban”. “Zonja Celeste Amarilla, ju jeni një grua e neveritshme dhe e padenjë për detyrën tuaj. Ju nuk përfaqësoni Paraguain, një vend që ka luftuar me pasion dhe nder gjatë gjithë këtij kompeticioni.”

Ai shtoi se deklaratat e saj raciste kanë errësuar arritjen historike të kombëtares paraguajane në këtë Botëror. “Për shkak të papërgjegjshmërisë dhe racizmit tuaj të hapur, e gjithë bota ka harruar rrugëtimin dhe përpjekjen historike të lojtarëve të Paraguait në këtë Kupë Bote. Nuk do t’u lejoj kurrë njerëzve si ju të përhapin urrejtje dhe racizëm në mbarë botën.”

Federata Franceze e Futbollit (FFF) reagoi menjëherë, duke njoftuar se do të ngrejë padi penale ndaj Amarillës. Në deklaratën zyrtare, federata i cilësoi komentet e saj si “plotësisht të neveritshme, të papranueshme dhe të dënueshme me ligj”. “Komente të tilla turpërojnë ata që i bëjnë dhe ata që i shpërndajnë. Lojtarët e kombëtares franceze përfaqësojnë Francën dhe është vendi ynë ai që është fyer,” thuhet në reagimin e FFF.

Edhe autoritetet më të larta franceze dolën në mbështetje të Mbappé. Presidenti Emmanuel Macron dënoi “sulmet raciste” ndaj kapitenit të Francës, ndërsa ministrja e Sportit, Marina Ferrari, i cilësoi deklaratat e senatores si “të neveritshme, të turpshme dhe edhe më të papranueshme kur vijnë nga një politikane”.

Në reagimet ndërkombëtare u bashkua edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili deklaroi se “i gjithë futbolli dhe shoqëria qëndrojnë në solidaritet me kapitenin e Francës” dhe bëri thirrje për një luftë të përbashkët kundër racizmit. Nga ana tjetër, qeveria e Paraguait u distancua publikisht nga deklaratat e Amarillës, duke theksuar se ato “bien ndesh me vlerat e bashkëjetesës paqësore dhe respektit për dinjitetin njerëzor” dhe se nuk përfaqësojnë as shtetin, as popullin paraguajan.

Më vonë, senatorja publikoi një letër të hapur në frëngjisht dhe spanjisht, ku tha se problemi i saj ishte me Mbappén dhe jo me Francën. Ajo shprehu keqardhje që e kishte fyer futbollistin “me të njëjtat ofendime” që, sipas saj, ka marrë vetë si person me origjinë të përzier dhe njoftoi se i kishte fshirë postimet. Megjithatë, Amarilla kërkoi edhe një ndjesë publike nga Mbappé, duke e akuzuar atë për “dhunë me bazë gjinore” në mënyrën si iu drejtua dhe paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime ligjore nëse ai nuk tërhiqet nga deklaratat e tij.