Thuhet se në marrëdhënien mes Jessica Biel dhe Justin Timberlake ka tensione serioze. Burimet pranë çiftit të famshëm thonë se aktorja i ka vendosur bashkëshortit një ultimatum të qartë, të ndryshojë sjelljen ose rrezikon të humbasë familjen.

“Daily Mail” shkruan se, Jessica është lodhur nga një sërë situatash që kanë krijuar pakënaqësi në marrëdhënie. Mes tyre përmendet arrestimi i këngëtarit në vitin 2024 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, si dhe sjellja e tij gjatë një udhëtimi të fundit në Las Vegas, ku organizoi një turne golfi.

Edhe “Page Six” ka raportuar për incidentin e 18 prillit, ku dy dëshmitarë pretendojnë se Timberlake dukej i dehur në fund të aktivitetit sportiv. Këto zhvillime duket se kanë qenë pika e fundit që ka shtyrë Biel drejt një vendimi të fortë.

Burime të afërta me çiftin bëjnë të ditur se aktorja, 44 vjeç, është në një pikë vendimtare dhe mund të ndërmarrë hapa konkretë nëse situata përsëritet. “Ajo nuk mund ta durojë më,” është shprehur një burim për mediat, duke theksuar se presioni mbi të është rritur ndjeshëm.

Një tjetër shqetësim për Biel mbetet mungesa e vazhdueshme e Timberlake në familje. Edhe pse ai përfundoi turneun e tij botëror në korrik të vitit të kaluar, sipas burimeve ai vazhdon të qëndrojë larg shtëpisë për periudha të gjata. Kjo ka bërë që aktorja të mbajë pothuajse e vetme përgjegjësitë familjare për dy fëmijët e tyre, Silas dhe Phineas.

“Ajo po bën gjithçka me fëmijët dhe është lodhur duke u përballur me situata që e vendosin në siklet publikisht,” shton i njëjti burim.

Ndërkohë, as Biel dhe as Timberlake nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre raportimeve, duke lënë gjithçka në nivel spekulimesh. Megjithatë, burimet sugjerojnë se marrëdhënia e tyre po kalon një nga periudhat më të vështira, ndërsa mbetet për t’u parë nëse çifti do të arrijë të kapërcejë këtë krizë apo do të shkojë drejt ndarjes.