Një ish-futbollist është gjetur i vdekur në shtrat nga bashkëshortja e tij, pasi thuhet se ka pësuar një atak të papritur në zemër.

Është fjala për ish-yllin e të rinjve të AC Milan dhe avokat shumë i njohur, Antonio Campion. Mediat italiane shkruajnë se ai ndërroi jetë të hënën, më 27 prill, në moshën 44-vjeçare.

Ai u gjet i pajetë nga bashkëshortja e tij, Elisa Zorzetto, në shtëpinë e tyre në Treviso, Itali. Pavarësisht se shërbimet mjekësore emergjente shkuan shpejt te banesa e tij, ai fatkeqësisht humbi jetën.

Sipas autoriteteve lokale, ish-mbrojtësi u godit nga ‘një sëmundje e papritur’ gjatë natës, duke shkaktuar arrest kardiak. 44-vjeçari nuk kishte probleme të mëparshme shëndetësore, duke lënë kështu familjen, miqtë dhe komunitetin lokal në shok.

Antonio ishte një figurë e shquar brenda Shoqatës së Avokatëve të Trevisos dhe punonte së bashku me të atin, avokatin e nderuar penal Roberto Campion, në firmën e tyre historike ligjore familjare.

Përpara se të fillonte karrierën e tij në drejtësi, ai ishte një atlet i talentuar që u ngjit në radhët e të rinjve të AC Milan gjatë viteve 1990.

Ndërsa dikur konsiderohej si një talent premtues për klubin e Serie A, ai përfundimisht zgjodhi të ndiqte rrugën profesionale të babait të tij. Ai punoi në firmën “Campion Corsi Carestiato” në Treviso, e njëjta zyrë ku gruaja e tij shërbente si sekretare.

Në një deklaratë, Shoqata e Avokatëve të Trevisos shprehu “tronditje dhe pikëllim të thellë” për humbjen e një kolegu të vlerësuar për integritetin e tij profesional dhe shpirtin e gjallë.

Miqtë dhe bashkëpunëtorët në Treviso e përshkruan atë si një individ aktiv, “sportiv”, i cili mbeti thellësisht i integruar në strukturën shoqërore dhe profesionale të qytetit.

Antonios i la pas bashkëshorten e tij dhe një vajzë 14-vjeçare nga një marrëdhënie e mëparshme. Ai do të kishte festuar ditëlindjen e tij të 45-të më 14 maj.