Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën. Ai ka diskutuar rreth çështjes së Agron Shehajt, i cili rrëmbeu marrëveshjen sekrete me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kuvend dhe iku me vrap.

Por jo vetëm kaq, pasi Kapri u ndal edhe te pasuria e Shehajt, duke treguar se si ai arriti që të ngrinte një perandori në këtë vend.

Pjesë nga intervista:

Kapri: Agron Shehaj ka ngritur një perandori në këtë vend. E dini ju këtë gjë?

Sharka: Është bërë i pasur shumë?

Kapri: Po. Dhe është bërë i pasur ndryshe nga gjithë modelet që ju keni parë.

Sharka: Si është bërë i pasur?

Kapri: Është bërë vetë i pasur. Falë një ideje.

Sharka: E cila është? Se unë nuk e di. Vetëm kur zbulova se kishte një vilë me vlerë 15 milionë euro thashë ‘uau sa i varfër që jam’.

Kapri: Po t’a shpjegoj me dy minuta historinë e tij. Iku me familjen, me anije që në vitin ’91.

Sharka: Në Itali?

Kapri: Në Itali. U rrit atje, u edukua, mbaroi universitetin në Firence dhe u kthye në Shqipëri. E kishte një ide. Duke parë që të rinjtë shqiptarë flisnin shumë mirë italishten, vendosi të hapte një biznes, i pari në Shqipëri, të telekomunikacionit.

Sharka: Call Center?

Kapri: Po. U ka marrë borxh prindërve 40 mijë euro.

Sharka: Po prindërit ku i kishin gjetur 40 mijë euro?

Kapri: Kursime jete se kishin 20 vite që jetonin dhe punon në Itali.

Sharka: Kështu tha edhe Veliaj kur u martua në Gjirokastër, se u martova me kursimet e mamasë.

Kapri: I ke të gjitha në bankë. Mos e banalizo tani se nuk po flasim për atë.

Sharka: Jo, jo

Kapri: Pra po të them, mori 40 mijë euro borxh prindërve dhe nisi biznes. I krijoi ekonomisë shqiptare përmes një sektori që të vijnë miliarda e miliarda, sepse u hapën me dhjetëra e qindra kompani të tjera në këtë sektor. Nuk është i vetmi biznes pasi Agroni ka bërë edhe biznese të tjera në teknologji e tjerë, e tjerë. E sigurisht e ka ndërtuar punën në Perëndim. Të gjithë klientët e Agronit janë në Perëndim, nuk janë këtu.

Sharka: Ka klientë të huaj?

Kapri: Patjetër. Punon me Vodafone Italia, ka punuar me Google, ka punuar me kompanitë më prestigjioze në botë. Më kupton tani? Për Agronin ka shkruar “Forbes”, për sipërmarrjen e tij. Kështu që ai është pasuruar njeri selfmade, i bërë vetë. Zero mbështetje e komunikim nga qeveria. Çfarë njeh ti të pasur në këtë vend, atë grupin që e njeh ti si oligark…

Sharka: Nuk njoh asnjë oligark, do të doja shumë. Madje unë e kam dhe ëndërr t’a njoh zotin Shehaj.

Kapri: Po them që të gjithë këta të pasurit në Shqipëri janë bërë të pasur vetëm se kanë patur qeverinë nga pas.