Një koncert i transmetuar drejtpërdrejt në YouTube, në të cilin 29-vjeçarja Parastoo Ahmadi u shfaq pa hixhab, i ka kushtuar shtrenjtë artistes iraniane. Autoritetet në vend e kanë dënuar këngëtaren dhe tetë anëtarë të ekipit të saj të muzikës me 74 rrahje me kamzhik, me vendimin që ka shkaktuar trazira në vend.

Sipas dokumenteve të gjykatës të cituara nga grupet e të drejtave të njeriut dhe avokatët, gjykata penale në provincën Qom u vendosi të pandehurve, përveç rrahjes me kamzhik, një ndalim dyvjeçar për t’u larguar nga Irani dhe një ndalim dyvjeçar për t’u angazhuar në aktivitete artistike.

Autoritetet i akuzuan ata për fyerje të modestisë publike dhe për prodhimin dhe publikimin e “përmbajtjes imorale dhe të turpshme” në internet. Rasti ka të bëjë me një koncert të mbajtur në dhjetor 2024 dhe të transmetuar drejtpërdrejt në kanalin YouTube të Ahmadi-t. Këngëtarja 29-vjeçare performoi këngën patriotike “Az Khoone Javanane Vatan” (Nga gjaku i të rinjve të atdheut) pa veshur hixhab, në një performancë që u bë shpejt virale dhe mblodhi miliona shikime.

Menjëherë pas publikimit të videos, Ahmadi dhe disa muzikantë u arrestuan nga autoritetet iraniane përpara se të liroheshin. Megjithatë, hetimi gjyqësor vazhdoi dhe rezultoi në shqiptimin e këtyre dënimeve të rënda për ta. Bahar Ghadehari, drejtoreshë e avokimit në Qendrën për të Drejtat e Njeriut në Iran, e quajti dënimin “një provë të mëtejshme se situata e të drejtave të njeriut në vend mbetet e pandryshuar”.