Fotografitë e një gruaje të moshuar nga Kina, së cilës i ishte zhvilluar një formacion i ngjashëm me bririn në ballë, bënë bujë në mediat ndërkombëtare në vitin 2015 dhe vazhdojnë të konsiderohen një nga rastet më të pazakonta mjekësore të dokumentuara. Bëhet fjalë për Liang Xiuzhen, një pensioniste 87-vjeçare nga provinca Sichuan në jugperëndim të Kinës. Ajo nisi të tërhiqte vëmendjen pasi në ballin e saj u formua një masë e errët dhe e harkuar, e cila me kalimin e viteve u rrit deri në rreth 13 centimetra gjatësi.

Sipas djalit të saj, Wang Chaojun, gjithçka filloi rreth shtatë ose tetë vite më parë me një nishan të zi në kokë, që i shkaktonte kruajtje të vazhdueshme. Fillimisht familja u përpoq ta trajtonte me metoda tradicionale kineze, por më pas e la pa ndërhyrje. Dy vite para se rasti të bëhej viral, nishani u shndërrua në një masë të vogël të ngjashme me një brirë. Pas një dëmtimi aksidental të saj, formacioni filloi të rritej me shpejtësi, duke arritur përmasa të pazakonta dhe duke i shkaktuar dhimbje, gjakderdhje dhe vështirësi në gjumë.

Mjekët e diagnostikuan gjendjen si “cornu cutaneum” ose “brirë kutan”, një formacion i rrallë i përbërë tërësisht nga keratina – e njëjta proteinë që formon flokët dhe thonjtë. Ndryshe nga brirët e kafshëve, këto struktura nuk përmbajnë kockë dhe krijohen nga grumbullimi i shtresave të dendura të keratinës në lëkurë. Megjithëse shumica e rasteve janë të vogla dhe beninje, në disa raste ato mund të lidhen me lezione parakanceroze ose kanceroze të lëkurës. Për këtë arsye, mjekët rekomandojnë zakonisht heqjen kirurgjikale dhe analizimin e indeve në bazën e formacionit.

Familja e Liang Xiuzhen hezitoi të pranonte operacionin për shkak të moshës së saj të thyer dhe shqetësimeve për komplikacione të mundshme. Rasti i saj u përhap me shpejtësi në internet. Ekspertët theksuan se nuk bëhej fjalë për asgjë të mbinatyrshme, por për një gjendje të njohur dermatologjike që, në rrethana të rralla, mund të marrë përmasa spektakolare. Mjekët kujtojnë se çdo ndryshim i pazakontë në nishane apo lezione të lëkurës, veçanërisht tek të moshuarit, duhet të kontrollohet sa më herët, pasi mund të sinjalizojë probleme serioze shëndetësore.