Këngëtarja e famshme, Miley Cyrus, duket se ka lënë pas një pjesë të identitetit të saj, të paktën në rrjetet sociale. 33-vjeçarja ka hequr mbiemrin “Cyrus” nga emrat e profileve të saj dhe tani po prezantohet thjesht si “Miley”.
Ndryshimi misterioz ka ardhur pa asnjë shpjegim nga artistja, e cila të hënën publikoi edhe dy fotografi të reja me tone të kuqe dhe të zeza. Njërën prej tyre e shoqëroi vetëm me një fjalë: “MILEY”.
Fansat kanë nisur menjëherë të aludojnë se bëhet fjalë për fillimin e një ere të re muzikore. Këngëtarja sapo ka nënshkruar me Atlantic Records dhe pritet të publikojë albumin e saj të dhjetë në studio, pas Something Beautiful, të publikuar në maj të vitit 2025.

Artistja nuk ka zbuluar ende datën e publikimit të albumit, por në një intervistë të fundit për “Wonderland Magazine” dha disa detaje për projektin e ri. Ajo e përshkroi albumin si “një histori dashurie”, por theksoi se këtë herë fokusi nuk është vetëm te një marrëdhënie romantike.
Sipas saj, albumi pasqyron një periudhë ndryshimi personal dhe mënyrën se si ka evoluar marrëdhënia që ka me veten. “Një dashuri e qetë është bërë temë në tre albumet e mia të fundit. Jo vetëm dashuria që ndaj me dikë tjetër, por edhe dashuria që kam gjetur për veten”, është shprehur Cyrus.
Ndryshimi vjen edhe në një moment emocional për këngëtaren. Vetëm pak ditë më parë, Miley humbi kumbarën e saj, legjendën e muzikës country Dolly Parton, me të cilën kishte një lidhje shumë të veçantë.
Pas lajmit të trishtë, Miley ndau një dedikim prekës për Dolly-n, duke shkruar se dhimbja e humbjes së saj ishte e vështirë për t’u shprehur me fjalë dhe se momentet më të shenjta mes tyre do të mbeteshin gjithmonë private.
Ndërkohë, para ndryshimit të emrit, Miley është parë duke shkuar në një studio në Los Angeles, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se diçka e madhe po përgatitet pas kuintave.
A është “Miley” thjesht një ndryshim estetik apo këngëtarja po i jep fund një kapitulli dhe po nis një epokë krejtësisht të re? Për momentin, ajo nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Por duket se fansat nuk do të duhet të presin gjatë për ta zbuluar.



