Katër vite pasi fëmija kishte ardhur në jetë, një burrë kërkoi që të njihej ligjërisht si babai i tij, por përpjekja përfundoi pa sukses. Gjykata e Lartë në Spanjë ka rrëzuar kërkesën, duke marrë në konsideratë vonesën në nisjen e procedurës dhe rrethana të tjera të çështjes.
Burri ngriti padi në tetor të vitit 2021 kundër ish-partneres së tij, duke kërkuar njohjen e atësisë për fëmijën e lindur në vitin 2017 dhe të gjitha efektet ligjore që rridhnin prej saj. Fillimisht, kërkesa u rrëzua nga Gjykata e Shkallës së Parë nr. 1 në Torrejón de Ardoz. Ai apeloi vendimin, por edhe Gjykata Provinciale e Madridit e hodhi poshtë.
Sipas gjykatës, interesi më i lartë i fëmijës nuk cenohej nga zbatimi i afatit ligjor të parashikuar për një kërkesë të tillë. Në vendim theksohej gjithashtu se burri nuk kishte kontribuar as materialisht dhe as emocionalisht në kujdesin ndaj fëmijës dhe nuk ishte provuar se mungesa e tij kishte ardhur për arsye jashtë kontrollit të tij.
Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë, ku kërkesa u refuzua sërish. Burri pretendonte se nëna e kishte penguar vazhdimisht të kishte marrëdhënie me të birin. Megjithatë, Gjykata vlerësoi se këto pengesa nuk e ndalonin atë të kërkonte më herët njohjen ligjore të atësisë. Një tjetër element i marrë në konsideratë ishte fakti se burri nuk kishte kryer testin e atësisë.



