Një 23-vjeçar nga Nebraska është dënuar me më shumë se 10 vite burg pasi grabiti një bankë, ndërsa hetuesit gjetën prova të rëndësishme në telefonin e tij. Deron Lewis-Payne hyri në një bankë në Omaha i armatosur dhe kërcënoi një punonjës, duke marrë rreth 9 mijë dollarë. Pas grabitjes, ai shpenzoi një pjesë të madhe të parave për rroba dhe këpucë në një qendër tregtare pranë bankës.
Policia arriti ta identifikonte përmes kamerave të sigurisë. I riu pranoi se kishte drejtuar automjetin e filmuar nga kamerat, por mohoi të kishte lidhje me grabitjen. Hetuesit kontrolluan telefonin e tij dhe gjetën aty një detaj që e rëndoi ndjeshëm situatën. Në historikun e internetit kishte kërkime dhe pyetje drejtuar ChatGPT, që lidhej me mënyrën se si mund të kryhej një grabitje banke.
Por kjo nuk ishte e vetmja provë. Në historikun e Google Maps u gjetën gjithashtu kërkime për rrugën drejt bankës që ishte grabitur. Pra, në vend që ta ndihmonte të fshihte gjurmët, telefoni i 23-vjeçarit i la hetuesve një “hartë” të qartë të lëvizjeve dhe interesave të tij. Lewis-Payne u shpall fajtor dhe u dënua me mbi 10 vite burg. Historia është një tjetër shembull se si gjurmët digjitale mund të luajnë rol vendimtar në hetimet penale.



