I ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio me Elona Duro dhe Salsano Rrapi ka qenë Arbër Hajdari. Në një intervistë plot të pathëna Arbër Hajdari ka zbuluar se si nisi rrugëtimi i drejtimit të një fondacioni, por gjithashtu pa harruar së përmenduri rolin e tij të opinionistit në “Big Brother Vip”.

Elona: Arbër si ka lindur dëshira për të ndihmuar të tjerët?

Arbër: Kam përshtypjen se të gjithë ne brenda vetes, pavarësisht se njerëzit nuk merren me organizata kanë atë ndjesinë për të ndihmuar qoftë një komshi, një njeri të afërt me aq sa munden.

Elona: Jo të gjithë…

Arbër: Pjesa më e madhe po… Pastaj ideja më lindi një ditë Bajrami ku zakonisht njerëzit festojnë festën e Bajramit bashkë me familjen e tyre. Atë ditë mendova dhe thashë ‘Po kjo ka një tjetër kuptim duhet të ndash me njerëzit’ dhe pastaj vendosa që të marr disa ushqime dhe të shkoja në një lagje shumë të varfër të Tiranës dhe atë ditë u kënaqëm. Kemi qenë gati me 20 fëmijë jetim, jemi kënaqur, kemi kërcyer me një majtofon të vjetër. Dhe unë kisha një profil në “Facebook” me 100 veta, bëj një postim dhe i drejtohem miqve të mi që sot ja kalova shumë bukur, bëra këtë uroj që edhe ju të bëni të njëjtën gjë, sepse ka shumë njerëz që jetojnë në kushte të vështira. Një javë më vonë u ndjeva mirë pasi pashë edhe plagët e varfërisë atje ku isha dhe thashë t’i çoj ca rroba se atë ditë ishim vetëm për drekën.

Salsano: Që u mblodhën nga Facebook-u?

Arbër: Po, nga Facebook-u me njerëzit e afërt. Pastaj fillova edhe një fundjavë tjetër, edhe një tjetër pasi kisha edhe më shumë kohë në fundjavë. Pastaj fillova t’i ftoja në shkollë.

Elona: Sa vjeç ke qenë?

Arbër: Kam qenë 21 vjeç… Fillova t’i ftoja pastaj filluan mamatë e shoqeve dhe shokëve. Na u mblodhën më shumë ndihma se familje, pastaj filluam të kërkonim familje u rrit numri i familjeve, mungonin ndihmat dhe kështu pas tre muajsh thamë një sekondë do ta strukturojmë këtë gjë sepse nuk kishim as ku t’i mbanim na duhej një magazinë. Filluam dhe blemë një ‘Smart’ aq buxhet kishim filluam të mblidhnim ndihma t’i çonim në familjet në nevojë pastaj ditë pas dite duke e strukturuar derisa erdhëm në “Fundjavë Ndryshe”./TAR