Aktori i mirënjohur, Agron Llakaj, ka qenë mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin “Top Arena”. Gjatë rubrikës “Golat e Jetës” me Edi Manushin, në ekran i janë shfaqur disa fotografi, të cilat ai i ka komentuar.

Në një moment u shfaq një imazh nga dasma e tij, për të cilën tha:

“Atëherë i thoshin Kostandinës ‘ku e gjete moj?’, se isha i tharë”.

I pyetur se ku e ka bërë dasmën, Llakaj u përgjigj:

“Në Memaliaj”.

Më pas Manushi i drejtohet: “Ku, në lokal apo në oborr?”

“Aty te bahçja e shtëpisë. 40 veta, pa orkestër, këndonim vetë. Pastaj në jetë, Kostandinës i doli mirë. Natyrshëm që në çdo kohë unë mund të flas shumë herë për dhimbjen por mbaj mend shumë gjëra të bukura, ato që të ndërtuara ose të shkaktuara për shkak të marrëdhënies me njëri-tjetrin”.

Agroni tregoi edhe një histori me bashkëshorten e tij të ndjerë. Ai tha se ka lindur një gjerman në karakter dhe si i tillë do të vdesë. Llakaj shtoi se me oraret nuk fal, ndërkohë Kostandina ka qenë ‘nëna e vonesës.

“Kostandina në raport me mua kishte një lloj sherri sepse unë kam lindur gjerman në karakter dhe do të vdes i tillë. Unë me oraret nuk fal, ajo isha nëna e vonesës. Unë lija punën dhe iknim për në Vlorë në fundjavë dhe i thosha në filan orë. ‘Na çmende me këtë orar, ja ku është Vlora’. I thosha që dua një orë, në 6 ose 7. Më tha në orën 7 dhe unë zbres te makina. Vajti ora 8 dhe unë lëshova një batare sharjes ‘made in’ Tepelena, Memaliaj. ‘Shaj, shaj po edhe ç’plodhu nga pak se u lodhe’. Ndërsa kur shkuam në Vlorë më tha ‘ke sharje më?’. E pyeta pse dhe më tha ‘kam harruar çelësin e shtëpisë’”, tregoi aktori i mirënjohur.