Dorina Kallaverja, e cila ka publikuar librin dedikuar vajzës së saj me aftësi ndryshe, ka qenë e ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën.

Ajo ka zbuluar se si erdhi libri i saj dhe çfarë fjalësh i kushton ajo të bijës.

“Është një libër ku janë të gjitha pjesët e shpirtit. I kam marrë të gjitha dhe i kam mbledhur në këtë libër. Është një vëllim me 100 faqe, ka shkrime të gjata, poezi, proza. Erdhi momenti dhe e publikuam. Që në vitin 2021 kur po e shkruaja, në ditët e mia të spitalit, mendimet e mia i shkruaja në një fletore, më pas arrita t’i shkruaja në telefon. Shumë njerëz do gjejnë veten, sepse ka copëza shpirti, që të kanë dalë nga shpirti, që bubullojnë si vetëtima. Jam e sigurt që të gjithë ata persona që kanë fëmijë me aftësi ndryshe, por dhe ata që kanë fëmijë të shëndetshëm, do gjejnë veten në mos në njërën faqe, në tjetrën. Kam qarë shumë kur e kam shkruar. Ka lot dhimbje, gëzim, hidhëtim, të qeshura e të qara. Është i mbledhur i gjithë emocioni im dhe i vajzës sime në këtë libër. Ajo nuk e kupton… Imagjino një person që nuk shikon dhe ti t’i thuash ‘sa i bukur ky pallati këtu’. Si do ta kthejë përgjigjen? Rri në heshtje. Ashtu edhe ajo”, tha ajo.

E pyetur ‘çfarë është diçka që ti do doje t’i thoje Adorës dhe që ajo ta kuptonte?’, Dorina u përgjigj:

“Që mami është gjithmonë me ty. Dora ime është dora jote, këmba ime është këmba jote. Sa të kem jetën, unë do jem me të. Por shpeshherë ia bëj pyetjen vetes time: Nëse vdes unë, me kë do rrijë vajza ime? Është një pikëpyetje shumë e madhe. Të gjithë nënat që janë si unë, jam shumë e sigurt që ia bëjnë vetes këtë pyetje. Po nëse mua do më ndodhë diçka, me kë do rrijë vajza ime? Është dhimbje shumë e madhe. Është një pyetje që nuk i kthej dot përgjigje”.