Gjatë një interviste për emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Zhaklin Lekatari ka diskutuar mbi barazinë gjinore dhe jo vetëm.
E pyetur ‘të shqetëson fakti që ne nuk kemi pasur ndonjëherë një presidente grua, ndryshe nga Kosova?’, gazetarja dhe aktivistja e njohur u shpreh ‘po, më shqetëson’.
“Por jo për shkak të përkatësisë gjinore, për shkak të mundësive të barabarta dhe të drejtave të barabarta. Nuk kemi ne një grua që është e zonja dhe mund ta paraqesë Shqipërinë me shumë dinjitet? Ndërsa për sa i përket parlamentit, ekzistojnë kuotat që të kemi një numër të barabartë burrash dhe grash, me përfaqësi të barabartë, por këtu kuota quhet diskriminim pozitiv, që kuptimin që Shqipëria nuk e ka arritur akoma stad që të heqë kuotat dhe njerëzit në bazë të meritokracisë, të zgjidhen me vota dhe të përfaqësojnë qytetarët. Ne nuk e kemi arritur akoma atë stad zhvillimi dhe prandaj kemi vendosur këto kuota. Por të gjitha këto zonja që janë pjesë e establishmentit të qeverisë, nuk është se kanë një theks të veçantë në politikat e tyre drejt gruas, nuk është se vazhdimisht bëjnë thirrje për gruan, nuk është se vazhdimisht kanë një vëmendje më të madhe drejt problemeve që ka gruaja shqiptare. Ka shumë deputete që nuk kanë folur ndonjëherë për problematikat e gruas, por kur janë cenuar në vetë të parë, atëherë kanë vendosur të përdorin kauzat gjinore apo feministe për të marrë më shumë ujë në mullitin e tyre”, tha Zhaklin Lekatari.


