Dizajnerja e njohur, Aurora James, ka humbur një vath me diamant gjatë Met Gala-s në Nju Jork, një nga ngjarjet më prestigjioze të modës në botë. Incidenti ka ndodhur gjatë mbrëmjes gala, por James e ka trajtuar situatën me sportivitet dhe humor, duke e kthyer në një moment që ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale.

Sapo kuptoi se vathi i ishte shkëputur dhe kishte humbur, ajo reagoi menjëherë duke e marrë me shaka vlerën e lartë të bizhuterisë.

“Diku është poshtë. Kushdo që e gjen, sapo ka fituar jackpot”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se diamanti mund të ketë një vlerë shumë të madhe financiare.

Aurora James tregoi gjithashtu se kishte pasur një parandjenjë për incidentin që më parë. Sipas saj, ajo kishte paralajmëruar edhe stafin në hyrje të eventit.

“Ky diamant do të bjerë. Vetëm ta dini, kur ta gjeni, është i imi”, kishte thënë ajo me humor, duke iu referuar vathit.

Kur vathi ra gjatë mbrëmjes, ajo u përkul menjëherë për ta kërkuar, por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme. Pavarësisht kërkimeve, bizhuteri nuk u gjet.

Met Gala njihet për ekspozimin e bizhuterive luksoze me vlera marramendëse, shpesh në miliona dollarë, dhe incidente të tilla, edhe pse të rralla, bëhen menjëherë virale në media dhe rrjete sociale për shkak të natyrës së tyre spektakolare.

Rasti i Aurora James është shndërruar në një nga momentet më të komentuara të edicionit të fundit të eventit, duke kombinuar glamurin e modës me një situatë të papritur dhe humoristike.