Këngëtarja e famshme shqiptare, Bebe Rexha, është rikthyer në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për muzikën, por për jetën e saj private. Një dalje e fundit në Nju Jork me basketbollistin e NBA-së, Jordan Clarkson, ka mjaftuar për të ndezur aludimet se mes tyre mund të ketë lindur një romancë.
TMZ shkruan se, dyshja e nisi ditën duke marrë pjesë në një aktivitet artistik të organizuar nga artisti Leopoldo Gout. Më pas, ata vijuan mbrëmjen së bashku në eventin prestigjioz “United Flags of Fashion”, të organizuar nga Vogue dhe Council of Fashion Designers of America (CFDA).
Fotografitë e publikuara nga “New York Vintners” i tregojnë Bebe Rexhën dhe Jordan Clarkson duke punuar krah për krah në realizimin e një pikture abstrakte me ngjyra të forta. Në një nga imazhet, basketbollisti pozon përpara veprës artistike, ndërsa këngëtarja shihet duke buzëqeshur pas tij.
Në një tjetër foto, dyshes i bashkohet edhe Leopoldo Gout. Clarkson mban krahun rreth Bebe Rexhës, ndërsa artisti pozon pranë tyre me dorën e mbuluar me bojë. Sipas “New York Vintners”, piktura është krijuar nga të tre së bashku dhe do të dhurohet për qëllime bamirësie.
Pas aktivitetit artistik, Rexha dhe Clarkson morën pjesë në festën e organizuar nga Vogue dhe CFDA në Rockefeller Center, ku u panë së bashku gjatë gjithë mbrëmjes.
Sipas raportimeve, ata u larguan bashkë edhe nga eventi, ndërsa fansat që prisnin jashtë arritën t’i filmonin teksa dilnin nga ambientet.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse Jordan Clarkson ishte thjesht shoqëruesi i Bebe Rexhës në këtë mbrëmje apo nëse mes tyre ka nisur një lidhje romantike. Deri tani, as këngëtarja shqiptare dhe as ylli i NBA-së nuk kanë reaguar publikisht për të konfirmuar apo mohuar spekulimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale.





