Këngëtarja me famë botërore, Lady Gaga, ka marrë rolin e saj më të ri dhe më të rëndësishëm: atë të nënës. 40-vjeçarja dhe i fejuari i saj, Michael Polansky, janë bërë prindër për herë të parë, sipas raportimeve të fundit.
Lajmi u bë publik fillimisht nga “Page Six”, e cila publikoi edhe fotografi ku Gaga dhe Polansky shfaqen së bashku me foshnjën gjatë një shëtitjeje në Northern California. Deri më tani, çifti nuk ka bërë një konfirmim zyrtar dhe nuk dihen detaje të tjera për fëmijën, përfshirë emrin, gjininë apo datën e lindjes.
Për Lady Gaga, mëmësia ka qenë prej vitesh një dëshirë e shprehur publikisht. Në vitin 2019, gjatë një videoje në “YouTube,” ajo foli për planet e saj për dekadën e ardhshme dhe tha se mes tyre ishte edhe dëshira për të pasur fëmijë.
“Dua të bëj më shumë filma, dua të kem fëmijë”, ishte shprehur këngëtarja në atë kohë.
Një vit më vonë, në një intervistë për “InStyle”, Gaga e kishte bërë edhe më të qartë dëshirën e saj për të krijuar një familje.
“Jam shumë e emocionuar për të pasur fëmijë. Mezi pres të bëhem nënë”, kishte thënë ajo, duke e cilësuar procesin e sjelljes në jetë të një fëmije si diçka të jashtëzakonshme.
Në mënyrë simbolike, Gaga ka përdorur prej vitesh edhe termin “Mother Monster” për t’iu referuar marrëdhënies së saj me fansat. Por tashmë, duket se ky emërtim ka marrë një kuptim krejt tjetër.
Në tetor 2025, gjatë një interviste në “The Late Show with Stephen Colbert”, artistja foli sërish për planet e saj dhe zbuloi se shpresonte që mëmësia të ishte “roli i saj i ardhshëm kryesor”.
“Çfarë dua vërtet është të jem nënë. Ky është roli im i ardhshëm kryesor, shpresoj”, u shpreh Gaga.
Historia e dashurisë me Michael Polansky nisi në vitin 2020. Çifti u fotografua duke u puthur në një festë të Vitit të Ri në Las Vegas dhe pak më vonë e bëri lidhjen publike. Pandemia e COVID-19 i afroi edhe më shumë, pasi ata kaluan periudhën e izolimit së bashku.
Në korrik 2024, Gaga konfirmoi se ishte fejuar me Polansky, një sipërmarrës në teknologji dhe investitor. Ajo iu referua atij si “i fejuari im” gjatë një takimi me kryeministrin francez në Lojërat Olimpike të Parisit.
Ndër vite, çifti ka preferuar ta mbajë marrëdhënien larg vëmendjes së mediave, ndërsa Polansky ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për këngëtaren.








