Komuniteti shqiptaro-amerikan ka marrë një vlerësim të rëndësishëm, pasi “Little Albania” në Bronx është përfshirë zyrtarisht në hartën e lagjeve të komuniteteve emigrante të qytetit të Nju Jorkut. Harta, e publikuar nga autoritetet e qytetit, përfshin 30 lagje në pesë bashkitë e Nju Jorkut, të njohura për komunitetet e tyre historike të emigrantëve dhe për rolin që kanë luajtur në formësimin e identitetit kulturor të qytetit.

Prej dekadash, “Little Albania” ka shërbyer si zemra e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke bashkuar familje nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Lagjja është e njohur për restorantet, furrat e bukës, kafenetë, bizneset në pronësi të shqiptarëve, si edhe për organizatat kulturore dhe aktivitetet komunitare që kanë ndihmuar në ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe trashëgimisë kulturore brez pas brezi.

Përfshirja e saj në hartën zyrtare të qytetit konsiderohet një vlerësim i kontributit të qëndrueshëm që komuniteti shqiptar ka dhënë për Nju Jorkun dhe karakterin e tij shumëkulturor. Në këtë hartë bëjnë pjesë edhe lagje të tjera të njohura të komuniteteve emigrante, si Koreatown, Chinatown, Little Ukraine, Little Guyana, Little Pakistan dhe Little Yemen.