“Top Albania Radio është radioja që nuk e ka ndalur kurrë ritmin dhe ka sjellë gjithnjë revolucion”. Kështu është shprehur drejtori i TAR, Ledion Liço, me rastin e 25-vjetorit të radios.

Në një intervistë dhënë për emisionin e mëngjesit “Wake Up”, Liço zbulon si u fut për herë të parë në TAR, për të mos iu ndarë më.

“Më pëlqente që ishte një radio ndryshe nga të tjerat. Për mënyra si flisnin radiofolësit. Ishte një ritëm që nuk rrinte me kohën. Koha atëherë ecte ngadalë. Ajo radio reflektonte një realitet si do të doje ti të ishte.

Nga afër e kam parë kur erdha në radio për të bërë një provë, doja të hyja te ‘Select’. Nuk më morën. Mbaj mend që kur hyri e nisa me ‘hey njerëz’. Isha shumë avangard për kohën.

Më pas kur Bojken Lako më thirri të bëja një provë për Select që ishte bërë për të atëherë. I bëra provat me Arbanën. Më pa pak në prova dhe mbaj mend që shkuam te bari dhe Arbana tha që ky djalë bën. Pastaj m’u desh një vit që të hyja në radio. Televizioni është më i thjeshtë se radio, mendoja se nuk bëj për radio”.

Me një karrierë të gjatë në radio, televizion dhe produksion, Ledion Liço është prezantuar në disa mënyra për publikun. Por, i pyetur se kë zgjedh mes tyre si të preferuarin, Liço përgjigjet pa hezitim.

“Produksionin do e vija të parin, pastaj radion. Televizioni për mua vjen më pas”.

Drejtori i TAR fton dëgjuesit e radios të ndjekin sot përgjatë ditës programacionin maratonë, të dedikuar për 25-vjetorin e krijimit të radios që bën bashkë shqiptarët në të gjithë botën.