Një 51-vjeçar në Britani është dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burg pasi mbajti për më shumë se tre vjet një burrë të pastrehë në kushte çnjerëzore, e detyroi të punonte dhe i mori dhjetëra mijëra paund nga të ardhurat e tij. James Dean Harrison, nga Coventry, e kishte strehuar viktimën në një kasolle të papërshtatshme në oborrin e shtëpisë së tij, pasi burri, në të 60-at, kishte mbetur pa strehë dhe i ishte drejtuar për ndihmë.

Viktima jetonte në kasolle së bashku me partneren e tij dhe qenin e Harrisonit. Sipas hetimeve, Harrison i mori kartat bankare të burrit dhe refuzoi t’ia kthente. Në total, nga llogaria e viktimës mungonin 63,625 paund, para që vinin nga pensioni dhe përfitimet sociale.

Policia dyshon se një pjesë e parave janë përdorur nga Harrison për të financuar pushimet e tij. nNdërkohë, viktima detyrohej të punonte në një pikë grumbullimi skrapi, ku kryente punë të rënda fizike, përfshirë lyerjen dhe pastrimin e mjeteve dhe kontejnerëve.

Sipas policisë, ai ishte gjithashtu subjekt i abuzimit verbal dhe fizik, ndërsa Harrison e quante në mënyrë poshtëruese “Scrapyard Dog”. Rasti u zbulua pasi viktima kontaktoi një këshilltar lokal për të kërkuar strehim emergjent. Autoritetet nisën hetimet dhe Harrison u arrestua në shkurt. Ai pranoi akuzën për detyrim në punë të detyruar dhe u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg. Gjykata e urdhëroi gjithashtu të paguante 10 mijë paund dëmshpërblim për viktimën.