Lady Kitty Spencer ka ndarë me ndjekësit disa momente të rralla familjare nga pushimet e saj në Hamptons. Mbesa e Princeshë Dianës i dha publikut një vështrim nga jeta private e bashkëshortit të saj, miliarderit 67-vjeçar, Michael Lewis.

Modelja 35-vjeçare publikoi një seri fotografish dhe videosh nga ditët e verës, ku shfaqet edhe Lewis së bashku me vajzën e tyre 3-vjeçare, Athena.

Në një prej videove, 67-vjeçari shihet duke mbajtur në krahë vogëlushen teksa ajo luan në dallgët e detit. Në pamje të tjera, Athena shijon momente të thjeshta familjare: vendos perime në shportën e blerjeve, ujit lulet në kopsht dhe vizaton me lapsa të larshëm në dritaret e shtëpisë ku familja po qëndron gjatë pushimeve.

“Vera më e ëmbël në Hamptons”, shkroi Kitty krahas postimit.

Postimi mori menjëherë reagime nga miq dhe familjarë të saj. Nicky Hilton la një emoji zemre, ndërsa motrat binjake të Kitty-t, Lady Eliza Spencer dhe Lady Amelia Spencer, i cilësuan fotot si “shumë të bukura”.

Lady Kitty Spencer dhe Michael Lewis u njohën përmes miqve të përbashkët në vitin 2018. Një vit më vonë, çifti u fotografua së bashku në New York, ndërsa në fund të vitit 2020 u raportua se biznesmeni i kishte propozuar martesë Kitty-t.

Çifti u martua më 24 korrik 2021, në një ceremoni madhështore në Villa Aldobrandini, në Frascati të Italisë. Dasma zgjati tre ditë dhe Kitty tërhoqi vëmendjen me pesë fustane të personalizuara nga Dolce & Gabbana. Çifti e mbajti për një kohë të gjatë larg vëmendjes publike edhe ardhjen në jetë të vajzës së tyre. Athena lindi në prill të vitit 2023, por lajmi u bë publik vetëm një vit më vonë.

Michael Lewis, i cili është kryetar i TFG Limited, ishte më parë i martuar me Leola Lewis, me të cilën ka tre fëmijë.

Lady Kitty Spencer është vajza e Charles Spencer, vëllait të Princeshë Dianës, dhe modeles Victoria Aitken. Ajo ka ndërtuar një karrierë si modele dhe është gjithashtu ambasadore e markës Dolce & Gabbana.