I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Andi Shehi, ish-konkurrent i “Përputhen”. Ai ka folur më shumë mbi njohjen me bashkëshorten, jetën e tij si baba, si dhe dasmën që ka bërë vetëm pak ditë më parë…

Pjesë nga intervista:

Si kanë qenë ndjesitë e tua kur e more vesh që do bëheshe baba?

Ka qenë një kujdes shumë i madh që jam përpjekur të tregoj, me aq sa dija, për Enkin gjatë shtatzënisë. Ka qenë një emocion ndryshe nga të tjerët, por jo si ai që kam sot. Kur ka lindur djali m’u mbushën sytë me lot, qava, ishte një kënaqësi shumë e madhe. Por atë pjesën që ndihesh baba, nuk e ndien dot direkt, nuk të fillon dot ndryshimi i jetës direkt. Nuk e kupton, është si tranzit që nuk e merr vesh se çfarë po ndodh.

Ti ishe në sallë gjatë lindjes?

Po, patjetër. Ka qenë një nga momentet që sa herë e kujtoj, më mbushen sytë me lot. Patjetër që qava. Kur u futa në sallë dhe pashë Enkin që i kishin vënë atë mbulesën, as krahët nuk ia shihja dot, vetëm fytyrën i shikoja. Po më shikonte në sy, si e pafuqishme. Nuk kam fjalë për ta shpjeguar, di vetëm që u preva dhe i kam shtrënguar dorën. Nuk e kisha më mendjen tek djali, të them të vërtetën, e kisha mendjen aty tek gruaja ime, tek shpirti im, sepse më dukej sikur po vuante dhe realisht po vuante. Më dhimbte shpirti kur e shihja ashtu.

Si ka qenë momenti kur more djalin për herë të parë në krahë?

Tani kanë dalë ekot 3D dhe ti e krijon pak atë imazhin se si duket bebi, por jo gjithmonë janë të sakta. Ne gjithmonë kemi pasur diskutime se kujt i ngjan. Në momentin që lindi, e mori doktoresha dhe tha: “Ua Andi”. Ne e kemi dhe video. Kur kam dëgjuar të qarën e parë, nuk më pushonin lotët. Uroj që të gjithë ta provojnë këtë, uroj që të gjithë të kenë një fat të mirë. /TAR/