Sipërmarrësi Endri Demirxhiu ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka folur më shumë mbi sfidat dhe problemet që lidhen me punësimin në Shqipëri.
I pyetur nga moderatori i njohur ‘Më mirë të jesh i punësuar apo në poste drejtuese?’, Demirxhiu u përgjigj:
“Aktualisht unë jam sipërmarrës në një agjenci marketingu ku jemi rreth 20 veta staf i brendshëm. Fillimisht kur isha i punësuar, ëndrra ime ishte që të kisha një biznes. Shikoja shumë biznesmenë, sepse kisha të bëja me klientë të një rangu shumë të lartë, sepse produktet që unë shisja ishin nga 60 mijë deri në 300 mijë euro. Unë i admiroja se si ata kishin arritur deri aty dhe një ndër aftësitë e tyre më të mëdha ishte ndërmarrja e riskut.
Kur u bëra sipërmarrës vetë, që ishte një proces thuajse 3-vjeçar, tani e kuptoj se çfarë do të thotë që isha shumë rehat kur isha i punësuar. Unë i kam hyrë kësaj rruge dhe dua të krijoj vlerë, të krijoj një standard të ri sepse kam punuar kaq shumë me veten time dhe nuk ka më kthim pas tani. Ka sfida të njëpasnjëshme. Tani e kuptoj se çfarë do të thotë të kesh një biznes. Një person që ka një biznes me 50 apo 100 veta, për mua është një hero, është shumë lart. Sepse duhet një punë shumë e madhe të menaxhosh stagin, të menaxhosh gjithë situatën, të menaxhosh klientët”.


