Një punë verore në një kantier ndërtimi në Belgjikë është kthyer në një zbulim të jashtëzakonshëm për një student 18-vjeçar, i cili gjatë hapjes së kanaleve për sistemin e ujërave të zeza gjeti një thesar ari me vlerë rreth 9 milionë euro. Kobe po punonte me kolegët në territorin e një ish-fabrike birre në Sint-Gillis-Dendermonde, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Brukselit, kur të martën vunë re diçka të pazakontë.

“Papritur pamë diçka të shtrirë aty. Në fillim mendova se ishin monedha 1 euroshe. Kështu që nisëm t’i nxirrnim. Pastaj pamë një shufër ari. Doli se ishte pak më shumë nga sa mendonim”, tregoi 18-vjeçari për rrjetin belg VTM. Thesari përmbante monedha ari, copa ari dhe shufra të numëruara dhe ishte fshehur brenda një çante në një mur të mbyllur me tulla në bodrumin e vilës.

Ndërtesa ishte ngritur në fund të shekullit XIX për pronarin e fabrikës së birrës, Theophilus Van Assche. Prodhimi i birrës në këtë zonë nisi në vitin 1899 dhe përfundoi në vitin 1970. “Nuk është diçka që pret të të ndodhë ndërsa punon një të martë të zakonshme në mëngjes”, tha Kobe. Sipas tij, thesari dukej se ishte fshehur qëllimisht. “Ishte vërtet i murosur aty, jo në ndonjë kasafortë apo diçka të tillë.”

Studenti dhe kolegët e tij njoftuan menjëherë policinë dhe organizatën që po rinovon ndërtesën. Ari është transferuar në një strukturë të sigurt në Bruksel, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar pronësinë e tij. Prokuroria duhet fillimisht të verifikojë nëse ari është pronë e vjedhur apo produkt i ndonjë aktiviteti kriminal. Më pas pritet edhe një çështje e ndërlikuar civile për pronësinë. Kontraktorët, organizata që administron pronën dhe pasardhësit e familjes dikur të pasur Van Assche mund të pretendojnë një pjesë të pasurisë. Sipas ligjit belg, personat që gjejnë një thesar duhet të presin të paktën pesë vjet që pronarët e mundshëm ta kërkojnë atë.