Një përdoruese e TikTok në Meksikë mendoi se kolla e saj që nuk po i zhdukej ishte thjesht një reagim ndaj ndryshimit të motit. Në vend të kësaj, ishte vathi i saj i hundës, i ngulur thellë në mushkëri. 26-vjeçarja, Monica Deyanira Cabrera Barajas, u bë virale së fundmi në TikTok, duke grumbulluar miliona shikime pasi zbuloi aksidentin e çuditshëm.
Në video, ajo tregoi se aksesori i humbur ndodhej vetëm 0.5 milimetra larg aortës së saj. Deyanira fillimisht nuk e vuri re se vathi i mungonte. Vetëm kur ajo zhvilloi një kollë kronike që zgjati më shumë se një muaj, shkoi të vizitohej te një mjek. Ajo iu nënshtrua një procedure mjekësore me rrezik të lartë për largimin e vathit.
Gjatë përpjekjes fillestare, kirurgët nuk ishin në gjendje ta lëviznin objektin sepse ai kishte filluar të ngjitej tashmë në indet e saj të brendshme. E përballur me një ndërhyrje të dytë kirurgjikale, më invazive dhe me rrezikun e një hemorragjie fatale, Deyanira u përgatit për më të keqen.
Natën para operacionit, ajo u shkroi një letër lamtumire të dashurve të saj. Kirurgu u habit po aq shumë nga sa afër ishte metali me zemrën e saj. Nëse metali do t’i kishte shpuar mushkëritë ose zemrën përpara se mjekët ta zbulonin, Deyanira tha se ajo ka të ngjarë të kishte vdekur nga një kolaps i mushkërive ose nga shpimi i aortës.



