Arkeologët kanë zbuluar një varr të pazakontë në Egjipt, ku ndodheshin eshtrat e mumifikuara të 16 personave, si dhe një qen i mumifikuar. Zbulimi është bërë në Nekropolin e Tebës, përballë qytetit modern të Luksorit. Sipas studiuesve, dhoma e varrimit është përdorur vazhdimisht për më shumë se 700 vjet. Me kalimin e kohës, hapësira u bë gjithnjë e më e kufizuar dhe trupat e rinj vendoseshin me kujdes mes ose sipër mumieve që ndodheshin aty prej shekujsh.

Një nga zbulimet më interesante ishte një qen i mumifikuar, i vendosur drejtpërdrejt mbi trupat e një burri dhe një gruaje. Studiuesit mendojnë se kafsha mund të ketë pasur një lidhje të veçantë me çiftin. Një tjetër mundësi është që qeni të ketë pasur një rol simbolik, si udhërrëfyes në udhëtimin drejt botës së përtejme.

Varret më të hershme, që datojnë rreth 2,500 vjet më parë, përmbanin persona që besohet se kishin status të lartë shoqëror. Ata ishin vendosur në arkivole dhe shoqëroheshin me amulete dhe sende me vlerë. Në periudhat e mëvonshme, trupat filluan të vendoseshin njëri mbi tjetrin për shkak të mungesës së hapësirës. Megjithatë, arkeologët theksojnë se nuk bëhej fjalë për një varr masiv kaotik. Çdo varrim i ri ishte përshtatur me kujdes me trupat që ndodheshin më parë në dhomë.