Një ngjarje e rëndë dhe ende e paqartë ka tronditur Brazilin, ku influencuesja e fitnesit Tamyris Teixeira Santos është gjetur e pajetë në një plazh, disa ditë pasi u zhduk në det gjatë një noti. 36-vjeçarja ishte parë për herë të fundit duke hyrë në ujë në plazhin Leblon në Rio de Janeiro, ndërsa ndodhej me miqtë e saj. Ajo nuk u kthye më nga deti, por pavarësisht kësaj, shokët e saj janë larguar pa ngritur alarmin për zhdukjen e saj.
Vetëm një ditë më vonë, familjarët u njoftuan për mungesën e saj, pasi sendet personale të influencueses ishin gjetur të lëna në një kioskë pranë plazhit. Kjo çoi në nisjen e një operacioni kërkimi, i cili përfundoi tragjikisht tre ditë më pas, kur trupi i saj u gjet në bregun e Botafogo.
Familja e viktimës ka ngritur dyshime të forta mbi rrethanat e ngjarjes, duke theksuar se ajo ishte një notare e mirë dhe se plazhi ishte i mbushur me njerëz në momentin e zhdukjes. Nëna e saj ka deklaruar se është e pakuptueshme si mund të ndodhë një tragjedi e tillë pa u vënë re nga askush.
Autoritetet kanë nisur hetimet dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e fundit të saj. Deri më tani, shkaku i vdekjes nuk është konfirmuar, ndërsa trupi është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore. E ndjera ishte gjithashtu avokate dhe e njohur për përmbajtjet e saj në rrjetet sociale, ku ndante këshilla për fitnesin dhe stërvitjet, duke pasur mijëra ndjekës.



