Videot ku shfaqen burra që dalin në mënyrë misterioze nga kanalizimet e qytetit të Nju Jorkut kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve, të cilat theksojnë se “nuk ka asnjë kërcënim për publikun”. Postime të publikuara në rrjetet sociale javën e kaluar duket se tregojnë grupe burrash, të paidentifikuar si pjesë e ndonjë ekipi të punimeve publike, duke dalë nga pusetat në lagje të ndryshme të Brooklyn-it.
Deri tani nuk është kryer asnjë arrestim lidhur me këto raste të dyshuara të hyrjes së paligjshme në sistemin e kanalizimeve.
Sipas një zyrtari të lartë të zbatimit të ligjit, teoria kryesore e hetuesve është se grupi po kontrollonte sistemin në kërkim të sendeve me vlerë që mund të kenë përfunduar në rrjetin e kanalizimeve.
“Për t’u siguruar që nuk kishte asnjë rrezik për publikun, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut dërgoi në sistemin e kanalizimeve njësinë e specializuar të Shërbimeve Emergjente për të verifikuar nëse individët kishin lënë pas ndonjë objekt të dyshimtë ose të rrezikshëm. Nuk u gjet asgjë. Gjithashtu, Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit i qytetit, që administron sistemin, kreu kontrolle dhe nuk konstatoi dëmtime në pajisjet e kanalizimeve,” tha zyrtari.
Në një video të regjistruar rreth orës 02:00 të mëngjesit të së premtes, një burrë i veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra shihet duke ngritur kapakun e një pusete dhe duke lejuar daljen e shtatë burrave të tjerë. Të gjithë duket se mbajnë veshje mbrojtëse ose kominoshe, të cilat më pas i ndërrojnë pranë kryqëzimit të rrugëve McDonald dhe Bedford.
Në një tjetër video, gjithashtu të filmuar në Brooklyn, një burrë me bluzë të kuqe shihet duke hapur nga brenda kapakun e një pusete dhe duke dalë në një rrugë me qarkullim automjetesh pranë rrugëve Heyward dhe Bedford. Pas tij dalin edhe gjashtë persona të tjerë, të paktën tre prej të cilëve mbajnë lopata. Të gjithë duket se kanë me vete ose të vendosura në kokë llamba ndriçimi. Hetuesit nuk kanë arritur ende të lidhin zyrtarisht dy incidentet me njëri-tjetrin. “Nuk janë raportuar të lënduar. Nuk ka arrestime dhe hetimet vazhdojnë,” deklaroi një zëdhënës i policisë.



