Këngëtarja britanike Dua Lipa mund ta ketë mbajtur ceremoninë e saj të martesës në Londër të thjeshtë dhe larg vëmendjes së tepruar, por bizhuteria që zgjodhi të vishte tregoi një histori krejt tjetër. Më 31 maj, fituesja e çmimeve Grammy, e njohur për hitet “New Rules”, “Levitating” dhe “Don’t Start Now”, u martua me aktorin Callum Turner në ndërtesën historike Old Marylebone Town Hall në Londër, në prani të një rrethi të ngushtë familjarësh dhe miqsh.

Ndryshe nga dasmat luksoze të zakonshme të yjeve, ceremonia nuk përfshinte dekorime madhështore apo fustan princeshe. Në vend të kësaj, Dua Lipa u shfaq me një kostum të bardhë elegant nga Schiaparelli, të kombinuar me doreza transparente dhe një kapelë dramatike, duke rikujtuar stilin ikonik të Bianca Jagger në vitet ’70.

Megjithatë, pjesa që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte gjerdani i saj. Artistja mbante një krijim të koleksionit Bulgari Serpenti, të punuar në ar të bardhë dhe të mbuluar me diamante.

Ekspertët e bizhuterive e kanë krahasuar atë me një model Serpenti të listuar në tregun luksoz të bizhuterive për rreth 430 mijë funta rreth 497 mijë euro. Gjerdani besohet se përmban mbi 75 karatë diamante, ndërsa sytë e gjarprit janë zbukuruar me gurë në formë dardhe.