Një sulmues i dyshuar seksual u detyrua që të largohej për të shpëtuar jetën e tij, pasi gjashtë qen u hodhën në mbrojtje të pronareve të tyre. Ngjarja ka ndodhur të martën në mëngjes në një park në Melbourne.

Pamjet e kapura nga një kamera tregojnë qentë që ndjekin burrin në fjalë. Dy gra po ecnin përgjatë Gardiners Creek me qentë e tyre kur u zunë në pritë nga një burrë, i cili kërceu nga shkurret dhe kapi njërin prej tyre.

Pasi ajo arriti që të lirohej, ai dyshohet se shënjestroi gruan e dytë, e cila gjithashtu arriti që të largohej prej tij.

Pas kësaj, qentë e dy grave iu drejtuan sulmuesit të dyshuar, duke e detyruar atë që të ikte në një tunel poshtë autostradës Monash.

Pamjet e filmuara nga njëra prej grave tregojnë gjashtë qen të racave dhe madhësive të ndryshme që lehin me tërbim ndërsa ndjekin burrin nëpër park.

Njëri nga qentë i hidhet lart dhe e kap pas këmbës atë, duke i grisur pantallonat. Burri mund të dëgjohet teksa u bërtet qenve përpara se të arratiste përfundimisht.

“Daily Mail” shkruan se policia po heton për tentativën e sulmit seksual. Burri përshkruhet se ka pamje afrikane, i veshur me tuta të zeza, bluzë gri me kapuç, çorape dhe pantallona të bardha, dhe mbante një çantë shpine të madhe blu të ndritshme.