Harry Styles është një ndër artistët më të suksesshëm, teksa aktualisht po zhvillon një turne në Amerikën e Jugut.
Megjithatë diçka e papritur e ka ndërprerë zhvillimin e këtij turi, pasi ai dhe ekipi i tij kanë rënë pre e një grabitjeje në Brazil.
Sipas gazetës braziliane G1, disa persona ende të paidentifikuat kanë grabitur furgonin me të cilin ylli lëvizte. Ngjarja ndodhi këtë javë kur një pjesë e stafit të Styles po udhëtonte në rrugën nga Sao Paulo në Curitiba, ku ai ishte planifikuar të performonte një koncert. Ekuipazhi njoftoi menjëherë se ata ishin viktima të një krimi.
Lajmi u përhap me shpejtësi dhe sipas informacioneve, mjeti është kapur nga tre persona të cilët kanë kërcënuar shoferin dhe kanë marrë instrumentet dhe disa objekte të tjera.
Flitet se këngëtari ka qenë në automjet në momentin e grabitjes, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar. Autoritetet nuk kanë qenë në gjendje të gjurmojnë sulmuesit, ndërsa deri më tani furgoni si dhe përmbajtja e tij nuk janë gjetur.
Turneu i Harry Styles në Amerikën Jugore i quajtur Love On Tour ka qenë një sukses deri më tani, pavarësisht grabitjes, pasi ai ka shitur të gjitha biletat dhe pati pjesëmarrje të madhe.