Një burrë që kaloi muaj duke marrë steroidë dhe konsumuar sasi të mëdha alkooli, pa bërë stërvitje me pesha, përfundoi i fundit në debutimin e tij në një garë bodybuilding-u. Peter Mossfield, i cili drejton llogarinë “BoozeBagFitness” në Instagram, kishte dokumentuar një eksperiment për të parë se sa masë muskulore mund të ndërtonte duke përdorur steroidë anabolikë, por pa bërë stërvitje force.
Më 8 gusht, ai vendosi ta çonte eksperimentin deri në skenë, duke konkurruar në kategorinë Men’s Classic Physique Open Class B në garën “2026 NPC East Coast Mecca Classic” në New York. Rezultati nuk ishte ai që mund të kishte shpresuar: Mossfield u rendit i teti mes tetë konkurrentëve të klasifikuar në kategorinë e tij. Gjatë eksperimentit, ai pretendoi se në periudha të caktuara konsumonte deri në 24 pije alkoolike në ditë, ndërsa vazhdonte të shmangte stërvitjen me pesha.
Në përgatitje për garën, Mossfield tha se kaloi nga birra te vodka e përzier me pije të gazuara pa sheqer, në përpjekje për të reduktuar kaloritë dhe për t’u paraqitur më i dobët në skenë. Por situata mori një kthesë tjetër ditën e konkurrimit. Pas fazës paraprake të vlerësimit, Mossfield tha se u largua nga vendi ku zhvillohej gara për të pirë alkool gjatë pushimit disaorësh përpara finaleve. Sipas tij, toleranca ndaj alkoolit i ishte ulur pasi kishte reduktuar konsumin gjatë javëve të fundit të përgatitjes.
“Pak a shumë humba sensin e kohës”, tregoi ai.Kur kuptoi se çfarë kishte ndodhur, Mossfield tha se kishte humbur finalen dhe pjesën individuale të pozimit. Pavarësisht se u rendit i fundit, ai pretendoi se fiziku i tij konkurronte me atë të disa pjesëmarrësve të tjerë. “Në mendjen time, unë ose një tjetër kishim fizikun më të mirë atje”, tha Mossfield. Pas garës, ai deklaroi se ka ndërprerë përdorimin e steroidëve dhe tani planifikon të fillojë stërvitjen me pesha pa përdorur substanca të tilla. “Tani jam sërish natyral”, bëri shaka ai.



