Alejandro Sanz ka ndarë një rrëfim të sinqertë për betejën e tij me ankthin dhe depresionin, gjatë një interviste në programin “Lo de Évole” në La Sexta. Këngëtari spanjoll përshkroi periudhat e vështira që përjetonte pas koncerteve, kur përjetonte një ndjesi të fortë ankthi.

“Kur përfundoja performancën dhe përballesha me njerëzit, më kapte një dridhje e fortë. Qëndroja i mbyllur në dhomën e zhveshjes derisa gjithçka qetësohej,” tregoi ai, duke shtuar se sot e ka lënë pas këtë fazë të vështirë.

Sot, artisti thotë se ndodhet në një moment shumë më të qetë dhe të balancuar në jetën e tij personale dhe profesionale. Ai u shpreh i lumtur për marrëdhënien me partneren e tij, Stephanie Cayo, e cila u shfaq edhe përmes një lidhjeje direkte gjatë intervistës.

“Është një ndjesi e mrekullueshme të jesh i dashuruar dhe unë jam,” u shpreh Sanz. Gjatë bisedës, ai u ndal edhe te bashkëpunimi i famshëm me Shakirën në këngën “La Tortura”, duke zbuluar se mes tyre ka ekzistuar një tërheqje e lehtë, por që nuk u zhvillua më tej.

“Ndoshta kishte një ndjenjë, por rrethanat nuk e lejuan. Ajo ishte në një lidhje me një mikun tim dhe edhe unë kisha jetën time personale,” tha ai, duke theksuar se sot është i kënaqur që gjithçka mbeti në nivel miqësor. Sanz shtoi se ata shpesh e kujtojnë këtë situatë me humor dhe vazhdojnë të ruajnë një raport shumë të mirë, ndërsa nuk kurseu elozhet për Shakirën, duke e cilësuar si një artiste të jashtëzakonshme dhe perfeksioniste në punën e saj.