Frank Beard, bateristi i njohur i grupit legjendar amerikan ZZ Top, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare. Muzikanti ndërroi jetë në fermën e tij në Richmond, Teksas, ku sipas njoftimit zyrtar ishte i rrethuar nga familjarët e tij. Beard ishte pjesë e ZZ Top që prej themelimit të grupit në vitin 1969 dhe për më shumë se pesë dekada kontribuoi në krijimin e tingullit karakteristik të treshes. Bateritë e tij u bënë pjesë e disa prej këngëve më të famshme të grupit, përfshirë “Sharp Dressed Man”, “Gimme All Your Lovin’”, “Legs” dhe “La Grange”.

Lajmin e hidhur e ka komentuar edhe Billy Gibbons, bashkëthemeluesi dhe kitaristi i ZZ Top, i cili e përshkroi Beard si një mik të jashtëzakonshëm dhe një muzikant me një stil unik. “Unë dhe Elwood humbëm sot një mik dhe bashkëpunëtor të mrekullueshëm, ndërsa bota humbi një prej bateristëve më inovativë dhe një bir të vërtetë të Teksasit”, u shpreh Gibbons.

Frank Beard u bë pjesë e historisë së muzikës së bashku me Billy Gibbons dhe Dusty Hill. ZZ Top shiti më shumë se 50 milionë albume në mbarë botën dhe u shndërrua në një prej grupeve më të dallueshme të rock-ut, duke kombinuar rock-un, blues-in dhe elementë të funk-ut. Përveç muzikës, grupi u kthye në një ikonë edhe falë pamjes së tij karakteristike, me mjekrat e gjata, syzet e diellit dhe stilin e veçantë që e shoqëroi për dekada.

Beard ishte detyruar të tërhiqej përkohësisht nga koncertet në vitin 2025 për shkak të problemeve shëndetësore. Ai lë pas bashkëshorten, Debbie Meredith, dhe tre fëmijët e tij. Me ndarjen e tij nga jeta, ZZ Top humbet një prej figurave që ishte pjesë e pandashme e identitetit dhe historisë së grupit për më shumë se 50 vite.