Në një dasmë në Tekirdağ të Turqisë, dhurata tradicionale me para apo flori ia la vendin një surprize që tërhoqi menjëherë vëmendjen e të gjithë të ftuarve: një viç i zbukuruar posaçërisht për çiftin. Serhat dhe Büşra Cavar po festonin martesën e tyre në një sallë në distriktin Süleymanpaşa, kur gjatë ceremonisë së dhuratave në sallë hyri kafsha e zbukuruar me fjongo të kuqe.
Pas surprizës qëndronte Berkcan Coşan, miku i fëmijërisë së dhëndrit, i cili vendosi t’i dhuronte çiftit diçka krejt ndryshe nga paratë apo floriri. Coşan tregoi se ai dhe dhëndri merren me blegtori dhe se pikërisht kjo e kishte frymëzuar për dhuratën.

“Jemi rritur bashkë. Nuk kemi lidhje gjaku, por ai është si vëllai im. Meqë të dy merremi me blegtori, doja t’i lija një kujtim që nuk do ta harronte kurrë”, tha ai. Gjetja e dhuratës nuk rezultoi aq e thjeshtë. Pasi nuk arriti të gjente një viç në zonat përreth, Coşan udhëtoi deri në Çanakkale për ta blerë. Por përgatitjet nuk përfunduan aty. Përpara se kafsha të hynte në dasmë, ajo iu nënshtrua një “rituali bukurie”.
“E lava dhe e kreha mirë përpara se ta sillja në sallë. Përdorëm llak për flokët, pastaj e thamë mirë me tharëse. I lidhëm fjongo të kuqe në këmbë, një nga një. U përshtat shumë mirë me dasmën”, tregoi Coşan. Hyrja e viçit në sallë shkaktoi habi mes të ftuarve, të cilët u mblodhën menjëherë rreth tij. Sipas Coşan, kafsha u qetësua pasi ai i dha qumësht me biberon. Edhe dhëndri pranoi se nuk kishte parashikuar një surprizë të tillë. “Tradicionalisht pret flori ose para. Për mua ishte një surprizë e plotë. Nuk e prisja kurrë një dhuratë të tillë, por u gëzova shumë”, tha Serhat Cavar.



