Në Singapor ka hyrë në fuqi një rregullore e re që vendos gjoba për pasagjerët që shfaqin sjellje të konsideruara shqetësuese në autobusët e transportit publik. Nga 23 shtatori, vendosja e këmbëve mbi sedilje, dëgjimi i muzikës apo videove me zë të lartë, hedhja e mbeturinave, si dhe ngrënia apo pirja në autobus mund të dënohen me gjobë deri në 500 dollarë singaporianë, rreth 390 dollarë amerikanë.

Masat janë pjesë e një kuadri të ri ligjor që synon të reduktojë sjelljet shqetësuese në transportin publik dhe t’i harmonizojë rregullat e autobusëve me ato që zbatohen prej kohësh në rrjetin hekurudhor MRT. Për shkeljet më të rënda, gjobat mund të jenë shumë më të larta. Deri në 5 mijë dollarë singaporianë parashikohet për raste si krijimi i pengesave apo rrezikut për pasagjerët në terminale dhe ndotja e autobusëve, terminaleve apo pikave të ndërrimit.

Kontrollet do të kryhen nga punonjës të autorizuar të operatorëve, përfshirë kontrollorët e biletave dhe stafin e terminaleve. Shoferët e autobusëve nuk do të kenë kompetencë për të vendosur gjoba, pasi duhet të përqendrohen te drejtimi i sigurt i mjetit. Ata mund t’u kërkojnë pasagjerëve të ndalojnë sjelljen shqetësuese ose, nëse nuk binden, të zbresin nga autobusi.

Autoriteti i Transportit Tokësor të Singaporit thotë se transporti publik është një hapësirë e përbashkët dhe rregullat e reja synojnë të krijojnë një mjedis më të sigurt, më të qetë dhe më të respektueshëm për të gjithë pasagjerët. Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në qytete të tjera. Në Krakov të Polonisë, për shembull, pasagjerët mund të gjobiten për muzikë me zë të lartë, video pa kufje apo telefonata me altoparlant në transportin publik.