Në prag të 100-vjetorit të lindjes, një grua 99-vjeçare nga Belgjika ka realizuar një dëshirë që e kishte prej kohësh. Irène, e cila jeton prej një viti në qendrën e kujdesit Ter Caele, pati mundësinë të ngjitej në një ekskavator dhe ta drejtonte atë për disa çaste, në një surprizë të organizuar nga stafi i qendrës.
Edhe pse lëviz me ndihmën e një karroce, kjo nuk e pengoi të përjetonte një nga momentet më të veçanta të jetës së saj. Gjatë javëve të fundit, Irène kalonte orë të tëra pranë dritares së dhomës duke ndjekur me interes punimet për prishjen e një ndërtese pranë qendrës ku banon.

Drejtori i qendrës vuri re interesin e saj të madh për makineritë e rënda dhe dëshirën për t’u ngjitur në njërën prej tyre. Për këtë arsye, qendra kontaktoi kompaninë e ndërtimit Buysse dhe organizoi një vizitë të posaçme në kantier, në bashkëpunim me punonjësit që po kryenin prishjen e godinës.
Vetë Irène tregoi se, ndërsa shikonte punëtorët nga dritarja, mendonte se edhe ajo mund ta bënte një gjë të tillë. Sipas saj, në rininë e saj kishte qenë gjithmonë e pavarur dhe kishte mësuar shumë gjëra vetë, ndaj drejtimi i një makinerie të tillë i dukej një sfidë që mund ta përballonte.
Ditën e surprizës, ajo fillimisht u ul në mënyrë të sigurt në pjesën e përparme të ekskavatorit dhe më pas u ngjit në kabinë. Nën mbikëqyrjen e operatorëve, Irène pati mundësinë të përdorte komandat e makinerisë për disa momente. Ajo e cilësoi këtë përvojë si një kujtim të paharrueshëm në prag të 100-vjetorit të saj. Momenti u bë edhe më i veçantë pasi pranë saj ishte edhe vajza, e cila ndërpreu pushimet për t’u kthyer në kohë dhe për të ndarë këtë përjetim me nënën e saj.




