Një plan i dyshuar për rrëmbime të personave të njohur ka vënë në alarm autoritetet franceze, të cilat kanë arrestuar një 18-vjeçar të dyshuar për përfshirje në një skemë kriminale. Sipas raportimeve të mediave franceze, i riu dyshohet se kishte planifikuar, së bashku me persona të tjerë, rrëmbimin e disa figurave të njohura me synimin për të përfituar shuma të mëdha parash përmes zhvatjes.
Në mesin e objektivave të dyshuar të grupit raportohet se ishte edhe Kylian Mbappé. Sulmuesi francez, një prej futbollistëve më të famshëm në botë, ishte përfshirë në listën e personave që grupi dyshohet se kishte identifikuar si objektiva. Por skema nuk do të kufizohej vetëm te futbolli. Sipas informacioneve të publikuara në Francë, në shënjestër mund të ishin vënë edhe drejtues kompanish dhe një reper i njohur francez. Hetimet e autoriteteve bënë të mundur identifikimin e planit përpara se ai të vihej në zbatim. Policia ndërhyri dhe arrestoi 18-vjeçarin, ndërsa drejtësia ka vendosur masën e paraburgimit ndaj tij.
Për shkak të natyrës së çështjes dhe rrezikut që paraqet, i riu është mbajtur në izolim. Ndërkohë, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë rolin e tij të saktë dhe të identifikojnë personat e tjerë që mund të kenë qenë pjesë e planit. Autoritetet franceze vijojnë punën për të zbardhur të gjithë skemën, ndërsa detajet e saj po dalin gradualisht në dritë.



