Ndërsa Kampionati Botëror i Futbollit 2026 po afron dhe përgatitjet kanë hyrë në fazën përfundimtare, një tjetër debat ka nisur të qarkullojë në rrjet: një pretendim i lidhur me parashikimet e Baba Vangës. Edicioni i ardhshëm i Botërorit, që do të zhvillohet në Meksikë, SHBA dhe Kanada, do të jetë historik pasi për herë të parë do të marrin pjesë 48 kombëtare.

Por përtej garës sportive, vëmendjen e shumë përdoruesve në internet e kanë marrë disa interpretime mistike që lidhen me figurën e njohur bullgare Vangelia Pandeva Gushterova, e njohur si Baba Vanga. Sipas disa pretendimeve që po qarkullojnë online, ajo ka lënë një mesazh që lidhet me një ngjarje të madhe globale, ku gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv “do të shfaqet një dritë e re në qiell”, e cila do të shihej nga njerëz në mbarë botën.

Ky pretendim ka shkaktuar reagime të shumta, duke ndarë opinionin mes atyre që besojnë në teoritë konspirative dhe atyre që e konsiderojnë këtë një histori të pakonfirmuar. Disa mbështetës të këtyre teorive e lidhin këtë me diskutimet e viteve të fundit rreth fenomeneve ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe raportimeve për objekte misterioze në qiell.

Megjithatë, studiues dhe analistë të medias kujtojnë se histori të tilla shpesh rikthehen para ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare, duke shfrytëzuar interesin e madh të publikut. Pretendimet për një fenomen jashtëtokësor apo një ngjarje kozmike gjatë Botërorit 2026 mbeten të pakonfirmuara dhe nuk ka asnjë njoftim nga institucione shkencore apo agjenci hapësinore që të mbështesë një skenar të tillë.