Sulmuesi i Borussia Dortmundit, Karim Adeyemi, ka folur hapur për problemet ligjore që e vendosën në qendër të vëmendjes gjatë vitit të kaluar, duke sqaruar arsyet që e shtynë të porosiste online pajisje që më vonë u konsideruan të paligjshme. Në episodin e dytë të dokumentarit të ri të Amazon Prime, “Loredana & Karim – Love & Drama”, futbollisti gjerman rrëfen detaje nga ngjarja që përfundoi në gjykatë dhe i kushtoi një gjobë prej afro gjysmë milioni eurosh.
Sipas Adeyemit, gjithçka nisi nga një “mystery box” e porositur në internet. Paketa përmbante disa sende, mes tyre një kapuç, një thikë me teh të madh, doreza boksi dhe pajisje të tjera që autoritetet i konsideruan armë ose mjete që kërkojnë leje të posaçme. Këngëtarja dhe partnerja e tij, Loredana, kujtoi se gjatë kohës kur Adeyemi ishte me të në xhirimet e një emisioni, ajo kishte kërkuar nga një mik i tyre të merrte pakot. Mirëpo, përmbajtja e tyre shkaktoi probleme sapo u kontrollua nga policia në aeroport.
Edhe vetë futbollisti tregoi momentin kur u njoh me sendet që ndodheshin brenda kutisë. “Pashë një kapuç, një teh të madh, mbrojtëse për gishta dhe disa gjëra të tjera. Nuk mund ta besoja,” tha ai. Adeyemi shpjegoi se kutia ishte blerë nga një faqe ku përmbajtja nuk dihej paraprakisht dhe se ai nuk kishte menduar se po shkelte ligjin.
Megjithatë, lojtari theksoi se arsyeja kryesore që e shtyu të interesohej për pajisje vetëmbrojtëse ishte dëshira për të mbrojtur familjen dhe partneren e tij të njohur. “Nëse dikush dëshiron të më sulmojë mua, le ta bëjë, por jo familjen time. Shumë njerëz nuk e kuptojnë se unë nuk kam një bashkëshorte të zakonshme. Gruaja ime është një artiste e njohur dhe është vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Mendoja se një person publik duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten. Logjika ime ishte e thjeshtë: nëse mund ta porosis online, nuk mund të jetë e paligjshme,” u shpreh Adeyemi. Rasti shkaktoi reagime të shumta në Gjermani.



