Detaje tronditëse janë zbardhur nga hetimet për vdekjen e gjashtë personave në një apartament në Mechanicville të Nju Jorkut, ku një nënë dhe gjyshja e fëmijëve dyshohet se helmuan katër të miturit përpara se t’i jepnin fund jetës. Viktimat janë identifikuar si Sarah Myers, 44 vjeçe, nëna e fëmijëve, Amy Steadman, 64 vjeçe, si dhe Harper Harmon, 13 vjeçe, Hudson Harmon, 11 vjeç, dhe binjakët Gavin e Gracelynn Harmon, të dy 10 vjeç.

Sipas policisë, fëmijët u helmuan me një përzierje medikamentesh, ndërsa Gavin kishte edhe plagë të shkaktuara nga një mjet prerës. Hetuesit thanë se ai kishte shenja që tregojnë se ishte përpjekur të mbrohej. Mesazhet elektronike të sekuestruara nga autoritetet tregojnë se nëna dhe gjyshja kishin diskutuar paraprakisht mënyrën se si do të siguronin medikamentet dhe do të vrisnin fëmijët, me pretendimin se po i “mbronin” nga babai i tyre.

Në një prej mesazheve të publikuara nga policia, Gracelynn pyeste pse po i bënin një gjë të tillë dhe ankohej për dhimbje të forta në stomak. Më vonë, gjyshja i shkruante vajzës së saj se fëmija e kishte kuptuar çfarë po ndodhte. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu kërkime në internet lidhur me efektet e medikamenteve, insulinës tek personat pa diabet dhe informacione të tjera që dyshohet se lidhen me planifikimin e krimit.

Trupat u gjetën më 23 qershor, pasi një fqinje, e shqetësuar se nuk e kishte parë familjen prej disa ditësh, njoftoi policinë. Autoritetet konstatuan se trupat ndodheshin prej kohësh në apartament. Ngjarja ndodhi pak ditë përpara se fëmijët të ribashkoheshin me babanë e tyre, Brady Harmon, pas një beteje të gjatë gjyqësore për kujdestarinë. Myers e kishte akuzuar atë për dhunë në familje, por ai nuk ishte ndjekur penalisht dhe i ka mohuar akuzat. Hetimet vijojnë, ndërsa rezultatet përfundimtare të analizave toksikologjike ende nuk janë bërë publike.