Një paralajmërim i bërë nga nëna e një 19-vjeçari në Ohio ka ndihmuar FBI-në të zbulojë një plan të dyshuar për një sulm masiv ndaj aktivitetit UFC Freedom 250, i organizuar në ambientet e Shtëpisë së Bardhë. Sipas dokumenteve federale të publikuara nga autoritetet amerikane, Tycen Proper, 19 vjeç, dhe katër persona të tjerë akuzohen se po planifikonin një sulm të koordinuar me dronë të mbushur me eksplozivë dhe snajperë kundër pjesëmarrësve në aktivitet.

Hetuesit thonë se alarmi u ngrit më 10 qershor, kur nëna e të riut kontaktoi policinë pasi u shqetësua nga blerjet e armëve, komunikimet online dhe bisedat e djalit të saj për misione zbulimi dhe sulme të armatosura. Sipas dëshmisë së saj, Proper kishte krijuar kontakte në internet me persona që pretendonin se kishin përvojë ushtarake dhe që ushtronin ndikim të fortë mbi bindjet e tij. Familjarët raportuan gjithashtu se ai kishte shpenzuar rreth 3 mijë dollarë nga paratë e diplomimit për armë, municione dhe pajisje taktike.

Gjatë kontrolleve në banesë, agjentët federalë sekuestruan mijëra fishekë, armë, jelekë balistikë dhe pajisje të tjera ushtarake. Sipas FBI-së, grupi kishte planifikuar të përdorte dronë shpërthyes për të krijuar panik dhe më pas të godiste me snajperë turmën që do të largohej nga zona. Në dokumentet hetimore thuhet se objektiv i mundshëm i sulmit ishin zyrtarë qeveritarë, anëtarë të Kongresit dhe figura të tjera me profil të lartë. Autoritetet pretendojnë se grupi diskutonte edhe sulme ndaj rrjeteve energjetike dhe objektivave të tjera strategjike.

Pesë të dyshuarit u arrestuan gjatë një operacioni të koordinuar në disa shtete amerikane. Nëse shpallen fajtorë për akuzat kryesore, ata përballen me dënime që mund të arrijnë deri në burgim të përjetshëm. Departamenti Amerikan i Drejtësisë deklaroi se plani u neutralizua përpara se të vihej në zbatim, ndërsa hetimet për çështjen vazhdojnë.