Argjentina arriti ditën e diel të ngjitej në krye të botës, duke fituar kampionatin botëror.
Menjëherë pas përfundimit të gjuajtjes së penalltisë, në fushën e stadiumit shpërtheu festa, teksa veç lojtarëve, aty zbritën dhe familjarë apo të ftuar VIP.
Mes tyre ishte edhe një personazh, i cili padyshim, mund të quhet më i bezdisshmi.
Pikërisht ky titull duket se i përshtatet, Salt Bae, shefit të Tik Tok-ut, i cili u përpoq me “gjithë shpirt” të merrte pak nga lavdia e Messit dhe shokëve të tij.
Kuzhinieri turk, emri i vërtetë i të cilit është Nusret Gokçe, nuk ngurroi të ngacmonte çdo lojtar të Argjentinës, duke u kërkuar foto teksa ata festonin me familjet e tyre, apo edhe duke u rrëmbyer nga dora trofeun e artë të Kupës së botës për të bërë foto.
Fillimisht ishte incidenti i sikletshëm me Messin që u bë publik, pasi ai u kap teksa i kërkonte yllit të këtij botërori një foto me ngulm, por u refuzua plot dy herë. Megjithatë, ai nuk u dorëzua dhe arriti ta merrte foton, duke e bërë të dukej sikur ai ishte mik i ngushtë i Leo-s.
Nga ana tjetër, ai u pa duke ia marrën ga dora trofeun Lisandro Martinez-it, ndërsa ky i fundit mbante dhe djali ne tij në dorë. Teksa Salt Bae ja rrëmben me forcë nga dora lojtarit kupën, djali i vogël kërkon ta prekë trofeun, por kuzhinieri e largon duke ia bërë me shenjë se nuk mund ta prekë pasi kupa është e tija.
Këto janë vetëm disa nga momentet e bëra publike, ndërsa sipas komenteve në rrjetet sociale, rezulton se Salt Bae i është ngjitur nga pas çdo lojtari në përpjekje për të marrë vëmendje.
Të shumtë janë ata që i kërkojnë llogari dhe kreut të FIFA-s për arsyet pse kuzhinieri duhej lejuar të zbriste në fushë dhe përse i duhej dhënë etiketa VIP, apo edhe komente që thonë se ai nuk kishte aspak lidhje me suksesin e Argjentinës dhe nuk duhet as ta prekte trofeun.