Pas pothuajse 100 vitesh zhvillimi, trajtimet që fuqizojnë sistemin imunitar të trupit për të luftuar kancerin po piqen dhe po shpëtojnë jetë pacientësh. Kur 71-vjeçarja Maureen Sideris u trajtua për kancerin e zorrës së trashë në vitin 2008, iu desh t’i nënshtrohej thikës. Trajtimi i saj ishte i suksesshëm, por procesi i rikuperimit pas operacionit ishte rraskapitës.

14 vjet më vonë, Sideris u diagnostikua me kancer të ezofagut dhe këtë herë, trajtimi i saj, i ofruar përmes një prove klinike, dukej krejtësisht ndryshe. Çdo tre javë, ajo udhëtonte drejt qendrës “Memorial Sloan Kettering” në Nju Jork për infuzione 45-minutëshe të një bari të quajtur dostarlimab.

Pas vetëm katër muajsh trajtimi, tumori i Sideris ishte zhdukur, pa operacion, pa kimioterapi apo rrezatim. Dhe megjithatë, është reale. Sideris është një nga numri në rritje i pacientëve që përfitojnë nga imunoterapia, një metodë që po arrin kulmin e saj. Ajo sjell premtimin për terapi të personalizuar, remision afatgjatë dhe më pak efekte anësore se metodat tradicionale.

“Njerëzit po jetojnë, dhe po jetojnë me cilësi të mirë jete. Po flasim për shërime”, thotë Jennifer Wargo, profesore e onkologjisë kirurgjikale në Teksas. Trupi ka një aftësi natyrore për të zbuluar dhe eliminuar qelizat që nuk i përkasin atij. Por ndonjëherë, qelizat kancerogjene “mashtrojnë” sistemin, duke u fshehur në pamje të parë. Qëllimi i imunoterapisë është të çmaskojë këto qeliza.

Dy nga format më të njohura janë: terapia CAR T-cell, ku qelizat mbrojtëse (T) nxirren nga gjaku i pacientit, modifikohen në laborator për të sulmuar kancerin dhe injektohen sërish. Aktualisht përdoret kryesisht për kanceret e gjakut, dhe inhibitorët e pikave të kontrollit, ku këto barna çaktivizojnë një “çelës fikës” të sistemit imunitar, të cilin kanceri e përdor për të mos u diktuar. Shkencëtarët që e zbuluan këtë fituan Çmimin Nobel në 2018.