Aktori i famshëm i Hollywood-it, Tom Cruise, ka surprizuar fansat me ndryshimin e tij të fundit në ekran. Ai shfaqet me flokë gri dhe me një pamje krejt të pazakontë në trailerin zyrtar të filmit të ri “Digger”, duke sjellë një nga rolet më ndryshe të karrierës së tij.

Në filmin e regjisorit Alejandro Gonzalez Inarritu, Cruise interpreton Digger Rockwell, një manjat të fuqishëm që nis një mision të dëshpëruar për të dëshmuar se është shpëtimtari i njerëzimit, përpara se katastrofa që ai vetë ka shkaktuar të shkatërrojë gjithçka.

Në pamjet e para të filmit, personazhi i tij shfaqet i tensionuar dhe në kufijtë e paranojës, teksa shqetësohet për shëndetin e maces së tij dhe përballet me partnerët e biznesit për një projekt që mund të shkaktojë dëme prej 18 trilionë dollarësh.

“Digger” përshkruhet si një komedi me elemente katastrofike, ndërsa vetë Tom Cruise e ka cilësuar këtë projekt si një nga përvojat më sfiduese dhe më origjinale të karrierës së tij.

“Nuk jam sfiduar kurrë në këtë mënyrë më parë”, është shprehur aktori për rolin e tij të ri.

Në film krahas Tom Cruise luajnë edhe Jesse Plemons, Sandra Huller, Riz Ahmed, Sophie Wilde, Emma D’Arcy, Michael Stuhlbarg dhe John Goodman. Filmi “Digger” do të shfaqet në kinema më 2 tetor.