Vajza e aktorit Charlie Sheen dhe aktores Denise Richards, Sami Sheen, ka reaguar publikisht ndaj pretendimeve se jeta e saj luksoze financohet nga i ati.

22-vjeçarja ka publikuar një video në “TikTok” ku ka mohuar kategorikisht këto aludime. Ajo shprehet se prej vitesh mbulon vetë të gjitha shpenzimet dhe nuk ka marrë mbështetje financiare nga Charlie Sheen.

“Nëse do të kisha paratë e babait tim, do ta pranoja pa problem. Por këto komente më bezdisin, sepse ai nuk më ka dhënë asnjë cent prej më shumë se katër vitesh”, u shpreh Sami.

E reja ndau edhe një episod nga një prej bisedave të fundit me të atin. Sipas saj, kishte mësuar se Charlie Sheen i kishte blerë motrës së saj një makinë, të paguar me para në dorë. Pas kësaj, ajo i kishte kërkuar me shaka një kalë me të njëjtën vlerë.

Sami tha se ajo ishte edhe hera e fundit që kishte komunikuar me babanë e saj.

Influencuesja hodhi poshtë edhe thashethemet se aktori i kishte blerë një shtëpi pranë plazhit.

Me nota humori, ajo u përgjigj se stilin e jetesës e financon vetë, duke përmendur se një pjesë e të ardhurave i siguron edhe përmes platformës “OnlyFans”.

Marrëdhënia mes Sami Sheen dhe Charlie Sheen ka qenë shpesh e tensionuar. Në të kaluarën, ajo ka treguar se kanë kaluar periudha të gjata pa folur me njëri-tjetrin, ndërsa aktori është shprehur se shpreson që raporti mes tyre të përmirësohet me kalimin e kohës.